Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Liza Gashi, thotë se një dialog parimor midis Kosovës dhe Serbisë, nënkupton një dialog të bazuar në reciprocitet, njofton Insajderi.
Kështu u shpreh ajo në konferencën akademike, ndërkombëtare, me temën “Politika e jashtme e Kosovës – një qasje proaktive”.
“Një dialog parimor nënkupton një dialog të bazuar në parimin e reciprocitetit. Kosova gjithmonë ka qenë e përkushtuar për dialog. Kosova pa dyshim është e përkushtuar për të drejtat e njeriut për të gjithë, veçanërisht për pakicat. Shpresojmë që pala tjetër të bëjë të njëjtën gjë”, ka thënë ajo, raporton KK.
“Masat e ndërtimit të besimit kërkohen për të ndihmuar procesin. Personat e zhdukur, dëmshpërblimet e luftës dhe njohja e krimeve dhe gjenocidit duhet të adresohen. Kjo është një çështje e një rëndësie jetike dhe shkon përtej politikës. Është çështje humanitare dhe në fund të fundit ka të bëjë me vlerat e shoqërive të lira dhe demokratike” tha më tej Gashi.
Zëvendësministrja mes tjerash tha se pavarësia e Kosovës ka sjellë paqe dhe stabilitet në rajon.
“Pavarësia e Kosovës ka sjellë paqe dhe stabilitet në rajonin tonë dhe më gjerë. Ne gëzojmë marrëdhënie të shkëlqyera me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë Veriore. Kohët e fundit duke bashkuar vendosjen e Forcave të Sigurisë së Kosovës në Kuvajt tregojnë se Kosova jo vetëm që është konsumuese e përpjekjeve të sigurisë por po bëhet një partner i besuar në sigurimin e paqes dhe sigurisë në të gjithë botën”, u shpreh Gashi. /Insajderi.com