Në bazën e vendimit të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve në udhëheqje me Hekuran Muratin, është marrë vendim se do të zgjatet afati i deklarimit të pasurisë në vitin 2021, njofton Insajderi.
Në bazë të njoftimit të lëshuar nga Administrata Tatimore e Kosovës, ky vendim është marrë ashtu siç kërkohet me Legjislacionin Tatimor dhe Ligjin për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim.
“Deklarimet dhe pagesat e bëra deri në afatin e zgjatur sipas tabelës në këtë njoftim, nuk i nënshtrohen ndëshkimeve të përcaktuara në legjislacionin tatimor në fuqi”, thuhet në njoftim.
Ndërsa për llojet e tjera të tatimeve dhe kontributeve, afati për deklarim dhe pagesë mbetet ashtu siç është i përcaktuar me Legjislacionin tatimor në fuqi.
“Administrata Tatimore, inkurajon të gjithë tatimpaguesit, të cilët nuk kanë vështirësi financiare, të vazhdojnë me përmbushjen e detyrimeve tatimore brenda afatit të rregullt ligjor”. /Insajderi.com