fbpx

Zgjedhja e Hazir Borovcit kryetar – si e mashtroi Kryesia e LDK-së elektoratin e saj?

Zgjedhja e Hazir Borovcit kryetar – si e mashtroi Kryesia e LDK-së elektoratin e saj?

Ndonëse Kryesia e Lidhjes Demokratike e Kosovës mori vendim për ta përjashtuar nga zgjedhjet e brendshme partiake, Hazir Borovci ka thyer këtë rregull për t’u zgjedhur kryetar i Degës së Tretë të LDK-së në Prishtinë.

Borovci arriti të zgjedhej kryetar i Degës së Tretë të LDK-së në Prishtinë me shumicë votash të shtunën, pa pasur kandidat kundër.

Kjo pasi që kundërkandidati i deklaruar më parë, Arban Abrashi është tërhequr nga gara.

LDK-ja disa javë më parë kishte marrë vendim, pas një përplasje që ndodhi në këtë degë, që Borovci e Abrashi të tërhiqen nga gara për kryetar të Degës së tretë në Prishtinë.

Por, zyrtarisht, LDK-ja s’ka konfirmuar se më pas është tërhequr nga ky vendim.

Ndërkaq, në një njoftim të Degës së Tretë të LDK-së në Prishtinë thuhet se procesi i zgjedhjeve në këtë degë ka përfunduar pa telashe.

“Me përfundimin e kuvendit të Degës së Tretë, është përmbyllur procesi zgjedhor në LDK. Kështu, pa kundër kandidatë është rizgjedhur edhe për një mandat në krye të Degës së Tretë të LDK-së, “Dega e Presidentit Rugova”, Prishtinë, Hazir Borovci. Ai është zotuar para delegatëve dhe të pranishmëve, që së bashku me ta, do ta qesin LDK-në, partinë e parë në vend”, thuhet në kumtesë.

Tutje, thuhet në kumtesë, pos zgjedhjes së kryetarit është zgjedh edhe kryesia e degës dhe e delegatëve për Kuvendin e Përgjithshëm të LDK-së, i cili pritet të mbahet me 3 gusht. /Insajderi.com