Zgjedhja e presidentit më 4 janar apo 5 prill?

Zgjedhja e presidentit më 4 janar apo 5 prill?

4 janari dhe 5 prilli janë datat e fundit që të cilat përmenden nga organizatat joqeveritare për zgjedhjen e të parit të vendit, transmeton Insajderi.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se Kuvendi ka afat deri me 4 janar ta zgjedh presidentin e ri, përndryshe vendi do të shkojë në zgjedhje.

“Presidenti Thaçi ka dhënë dorëheqje me 5 nëntor dhe po të njëjtën ditë kanë kaluar kompetencat te Kryetarja e Kuvendit. Duke u bazuar në afatin 60 ditor që nga dhënia e dorëheqjes, pra që nga dita kur Kuvendi është dashur të fillojë me procedurat për zgjedhjen e presidentit, i bie që ky Kuvend të zgjedh presidentin e ri më së largu deri më 4 janar, e cila i bie si datë e fundit që Kushtetuta ka përcaktuar afatin 60 ditorë për zgjedhjen e presidentit të ri”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Eugen Cakolli.

Nga ana tjetër, Yll Zekaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se afati i fundit për zgjedhjen e presidentit është me 5 prill.

“Afati i fundit për zgjedhjen e presidentit/es përcaktohen me nenin 86 të Kushtetutës ku thuhet se presidenti duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para skadimit të mandatit të presidentit aktual. Duke qenë se në Kosovë kemi rrethana të reja pasi Presidenti ka dhënë dorëheqje dhe tashmë kemi një ushtruese të detyrës së presidentit mandati i së cilës po ashtu parashihet me Kushtetutë, pra ajo nuk mund të ushtrojë mandatë më të gjatë se gjashtë muaj. Atëherë nga kjo rrethanë del se presidenti duhet të zgjidhet jo më larg se 5 prilli i vitit të ardhshëm”, ka thënë ai.

Ish presidenti Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje më 5 nëntor pasi Gjykata Speciale i kishte ngritur një aktakuzë për krime lufte. /Insajderi.com