fbpx

Rrëzimi rekord i aktakuzave kundër politikanëve në prag të zgjedhjeve

Rrëzimi rekord i aktakuzave kundër politikanëve në prag të zgjedhjeve

Caktimi i datës së zgjedhjeve nga presidenti Hashim Thaçi për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 11 qershor, siç duket, ka qenë fatlum për disa njerëz të politikës. Vetëm disa ditë me vonë, janë hedhë poshtë disa aktakuza.

Gjykata Themelore e Prishtinës, më 16 maj, ka hedhë poshtë aktakuzën ndaj ish-ministrit të Arsimit, Ramë Buja, që vjen nga PDK-ja.

“Gjykata e ka pranuar kërkesën tonë për hedhje të aktakuzës dhe ka liruar Ramë Bujën”, ka thënë për Insajderin avokati i Bujës, Petrit Dushi.

Gjykata Themelore e Prishtinës lidhur për të njëjtin rast ka hedhur poshtë edhe aktakuzën ndaj ish-sekretarit të MAShT-it, Xhavit Dakaj.

Ramë Buja si ministër i Arsimit dhe Xhavit Dakaj në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm në këtë Ministri, akuzoheshin për keqpërdorim të detyrës.

Buja dhe Daku akuzoheshin se me qëllim të përfitimit për vete apo për të tjerët, më 11 maj 2012, kishin arritur marrëveshje me kompaninë “Alb-Architect” për vazhdimin e projekteve dhe mbikëqyrjen profesionale të projekteve të iniciuara sipas kontratave bazë të datës 15 maj 2009 dhe aneks-kontratës të datës 16 maj 2011.

Rasti tjetër është ai kundër kryetarit të Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, i cili është nga AAK-ja.

Prokurori Ibrahim Fejza, më 12 maj, hoqi dorë nga ndjekja penale kundër Gashit, dhe përfaqësueses ligjore të kësaj komune, Drita Hashani, të akuzuar për “mosekzekutim të vendimeve gjyqësore”.

Prokurori Fejza ka thënë se pas ngritjes së aktakuzës, avokati i Gashit, i kishte ofruar prokurorisë prova materiale të cilat kishin vërtetuar se nuk kishte elemente të veprës penale.

Xhafer Gashi në pozitën e kryetarit të Komunës së Obiliqit dhe Drita Hashani në cilësinë e përfaqësueses ligjore të kësaj komune, akuzoheshin se më 7 janar 2014, me dashje nuk e kishin ekzekutuar Aktgjykimin e Gjykatës Komunale në Prishtinë, i cili ishte i plotfuqishëm sipas Aktvendimit të Gjykatës së Apelit.

Prokurori pretendonte se dy të akuzuarit e kishin ditur se mosekzekutimi i vendimeve të plotfuqishme gjyqësore, përbën vepër penale.

Vepra penale “mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore”, nga neni 402, paragrafi 2, të Kodit të ri Penal të Republikës së Kosovës, është e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Këtij vargu i bashkëngjitet edhe ish-kryetari i Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, i cili vjen nga AAK-ja.

Gjykata Themelore në Gjakovë ka hedhë poshtë aktakuzën e Prokurorisë Speciale ndaj tij për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Aktakuzën ndaj Lekajt dhe dy ish-zyrtarëve tjerë të Komunës së Gjakovës, Prokuroria Speciale e kishte ngritur në shkurt të këtij viti. Derisa, pas mbajtjes së seancave të shqyrtimit fillestar, Gjykata Themelore në Gjakovë ka hedhë poshtë aktakuzën.

“Kam qenë i bindur se kjo do të ndodhë, sepse më të vërtetë nuk ka pasur asnjë provë kundër klientit tim, Pal Lekaj”, ka thënë avokati i tij, Arianit Koci.

Aktakuza ishte ngritur për një rrugë të asfaltuar në një fshat, pak kilometra larg qytetit të Gjakovës, që mbrojta e tij dhe vetë Lekaj në shqyrtim fillestar, kishin deklaruar se komuniteti ka përfituar prej ndërtimit të saj./Insajderi.com