Zgjedhjet e jashtëzakonshme ndikojnë edhe tek organizatat e LGBT-së

Zgjedhjet e jashtëzakonshme ndikojnë edhe tek organizatat e LGBT-së

Nuk do të mbahet sot Marshi i përvitshëm i komunitetit LGBT – gej, lezbik, transgjinor dhe biseksual.

Si zakonisht, me 17 maj kur edhe shënohet Dita Ndërkombëtare kundër Homofobisë, në Prishtinë mbahet një marshim në qytet për të kërkuar të drejta për komunitetin.

Sot, në një konferencë për media organizuar në Prishtinë u tha se kjo gjë nuk do të ndodhë.

“Këtë vit vetëm e kemi shtyrë Marshin, por nuk e kemi anuluar në tërësi, kjo për shkak të qeverisë e cila ka dhënë dorëheqje dhe në fakt edhe thirrjet tona nuk kanë kujt ti adresohen në këtë situatë” ka thënë Agim Margilaj nga CSGD – Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore.

Vitin e kaluar marshi pati ndodhur pa ndonjë incident dhe me përcjellje të Policisë së Kosovës, për të përfunduar me disa fjalime në platonë përballë bustit të Zahir Pajazitit në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Në këtë konferencë poashtu u tha se komuniteti LGBT po planifikon që të bisedojë me partitë politike dhe të ndërmarrë dicka në bashkëpunim me ta, në mënyrë që në agjendat e tyre të jetë edhe përkrahja për komunitetin në fjalë.

Në këtë konferencë u prezantua edhe raporti mbi portretizimin e komunitetit LGBT në mediat online në Kosovë si dhe u fol se situata është përmirësuar por megjithatë ka ende për tu punuar.