Mbajtja e zgjedhjeve ka ndikim negativ sa i përket rritjes ekonomike dhe tërheqjes së investimeve të huaja direkte, ka deklaruar kryetari i Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës, Arian Zeka.
Sipas tij, investitorët dëshirojnë të presin se cila do të jetë siguria juridike për ta ose çfarë do të prodhojë koalicioni i ri qeverisës në aspektin e fuqizimit të sektorit privat dhe zhvillimit ekonomik.
“Zgjedhjet e shpeshta që janë mbajtur në vendin tonë nuk është se kanë sjellë ndonjë risi në aspektin ekonomik. Nëse zgjedhjet kanë pasur ndonjë ndikim në qeverisjen ekonomike dhe tërheqjen e investimeve të huaja atëherë kanë pasur ndikimi negativ.
Nëse i analizojmë të gjitha vitet zgjedhore prej vitit 2014 kanë qenë vitet që kemi pasur normat më të ulëta të investimeve të huaja direkte edhe pse është hipotezë ndoshta e patestuar”, tha Zeka për EO.
Ai shtoi se çfarë është parë në vitet e kaluara është se nuk ka programe të detajuara, por bëhet fjalë për ide të pastrukturuar që buron nga një pjesë e programit./Insajderi.com