Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut: Kalkulimet për formimin e qeverisë

Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut: Kalkulimet për formimin e qeverisë

Tashmë kanë filluar kalkulimet se kush do të krijojë qeverinë e re në republikën e Maqedonisë së veriut, pas përfundimit të procesit zgjedhor.

Partitë ende nuk kanë qëndrime të qarta se me cilën parti do të bëjnë koalicion, njofton Insajderi.

Koalicioni “Mundemi” i kryesuar nga LSDM-ja me 46 mandate të fituara ka kapacitetin më të madh koalicionues, përderisa nga VMRO-DPMNE-ja të cilët kanë 44 mandate besojnë se kanë besimin më të madh që të luftojnë për përbërjen e Qeverisë së re, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 15 korrik të këtij viti në Maqedoninë e Veriut.

Sipas rezultateve finale jozyrtare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), Bashkimi Demokratike për Integrim (BDI) fitoi 15 mandate, Aleanca për Shqiptarët -12, E majta dy mandate dhe PDSH-ja një mandat.

Në përbërjen e re kuvendore LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE-ja do të kenë më pak deputetë se deri më tani, përderisa BDI-ja dhe Aleanca për Shqiptarët do ta rrisin përfaqësimin e tyre, ndërsa E majta me dy deputetë hyn për herë të parë në Parlament.

Koalicioni i kryesuar nga LSDM-ja “Mundemi” është fitues në një numër të madh të komunave dhe ka kapacitet më të madh për të formuar koalicionin qeverisës, me çka është e sigurt se lideri, Zoran Zaev, do të jetë mandatari i ri dhe i pari do ta ketë mundësinë që të përbëjë shumicën parlamentare, informojnë nga qendra analitike e LSDM-së, njofton Insajderi.

Për atë se nëse LSDM do të formojë koalicion me BDI-në për krijimin e shumicës parlamentare dhe për Qeveri, Oliver Spasovski deklaroi se është çështje e vlerësimeve dhe marrëveshjeve politike duke dërguar përgjigje në parti.

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski, në konferencën e parë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare theksoi se partia opozitare e ka besimin më të madh që të luftojë për përbërjen e Qeverisë së re, sipas të cilit VMRO-DPMNE, ka më shumë vota se LSDM-ja, pa Besën, me të cilën është në koalicion.

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski,  paralajmëroi se është i gatshëm të bisedojë me të gjitha partitë politike, por se këtë nuk do ta bëjë nën shantazhe dhe kushtëzime.

Lideri i partisë E majta, e cila fitoi dy deputetë për herë të parë hyn në Parlament, tha se deri më tani nuk kanë kontakte me parti politike për koalicionime, por edhe se pret që të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes Besa, Arianit Hoxha, shfaqi bindje se padyshim, mandati i LSDM-së dhe lëvizjes Besa do të jetë mandat qeveritar në katër vitet e ardhshme.

Në pyetjen e gazetarëve lidhur me atë se cila parti nga blloku shqiptar do të jetë më e pranueshme për partnerin e koalicionit, Hoxha tha se presin ta shohin rezultatin përfundimtar dhe në bazë të kësaj do të merren vendime.

Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, përmes Facebook-ut publikoi disa matematika zgjedhore, duke aluduar se BDI-ja me 15 deputetë është fitues i sigurt te votuesit shqiptarë.

Mandatari në afat prej 20 ditëve pasi i jepet  mandati, Kuvendit i dorëzon program dhe e propozon përbërjen e Qeverisë, njofton Gazeta Online Insajderi nga Maqedonia.