LDK vs. LVV

Zgjedhjet në Podujevë: Rudari e Bulliqi të gatshëm për ballafaqim – “u hap rruga për vullnetin qytetar”

Dorëheqja e Agim Veliut e la Podujevën pa kryetar komune. Pandemia më pas ia pamundësoi zgjedhjen e një të riu. Më në fund është caktuar një datë. 29 nëntori do t’i gjejë podujevasit pranë kutive të votimit në kërkim të kryetarit që mungon prej muajsh. LDK e Vetëvendosje përbëjnë dyshen rivale. Rivalitet që është rritur me zhvillimet e fundit politike. Nexhmi Rudari i LDK-së synon ta ruajë traditën e fitoreve në Podujevë, Shpejtim Bulliqi i LVV-së beson se – për herë të parë – do të ndodhë e kundërta.

Zgjedhjet në Podujevë: Rudari e Bulliqi të gatshëm për ballafaqim – “u hap rruga për vullnetin qytetar”

Të gatshëm për mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve komunale në Komunën e Podujevës janë shprehur edhe nga Lidhja Demokratike, por edhe nga rivali i tyre, Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa në garë hynë edhe Partia Demokratike e Kosovës, njofton Insajderi.

Derisa Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, e ka udhëzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve në këtë komunë, nga LDK dhe VV nuk e ndjejnë presionin e kandidatëve të partisë rivale.

Të paktën kështu thotë kandidati për kryetar komune nga ana e Vetëvendosjes, Shpejtim Bulliqi, i cili në një përgjigje për Gazetën Online Insajderi është shprehur i bindur në fitore.

“Jemi shumë të gatshëm dhe jemi të bindur që do të fitojmë bindshëm, duke pasur parasysh pezmin qytetar ndaj qeverisjes lokale në Komunën e Podujevës dhe vullnetin e qytetarëve për ta sjellë Lëvizjen në qeverisje në secilin nivel”, tha ai.

Bulliqi tutje shtoi se kandidatët me të cilët është në garë nuk i sheh si shumë seriozë dhe që mund ta sfidojnë atë në këto zgjedhje që u stërvonuan për shkak të pandemisë.

“Tash ka mbetur vetëm të hapet rruga dhe të dëgjohet vullneti qytetar nga të cilët buron legaliteti dhe legjitimiteti”.

Vullnetin qytetar pret ta dëgjojë me 29 nëntor edhe Nexhmi Rudari, kandidati i LDK-së për kryetar të kësaj komune.

Rudari e ka provuar shijen e të qenurit kryetar, meqë këtë rol, si ushtrues detyre, e ka ushtruar nga shkurti i këtij viti, kur Agim Veliu ia lëshoi vendin për t’u pozicionuar si ministër i Punëve të Brendshme.

Kjo përvojë e fituar në qeverisjen lokale – meqë më parë ushtronte edhe funksione të tjera komunale – bën që  Rudari “të mos ketë asnjë problem në ushtrimin e kësaj detyre”.

“Mua nuk më ka penguar fakti që deri më tani kam qenë u.d. i detyrës së Kryetarit dhe të gjitha kompetencat për ta ushtruar këtë detyrë mi jep ligji, por edhe përvoja që unë kam në qeverisjen lokale qoftë si Drejtor i Arsimit për dy mandate apo edhe nënkryetar i Komunës për gati dy mandate”, ka thënë Rudari për Insajderi-n.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë e Mitrovicën e Veriut do të mbahen më 29 nëntor, të shpallura nga kreu i shtetit.

Në dy vendimet e presidentit Thaçi theksohet se organizimi dhe mbajtja e zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Podujevës dhe për Kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut duhet të bëhet në koordinim dhe bashkërendim me institucionet përkatëse, në pajtim me “Ligjin Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës”.

Ky vendim është marrë vetëm një ditë pas takimit të Thaçit me kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Dakën, me të cilën kanë biseduar për mundësitë e organizimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar në këto dy komuna.

Zgjedhjet në Podujevë fillimisht ishte vendosur të mbaheshin më 15 mars, por ato u ndaluan vetëm një ditë para kësaj date, meqë pandemia imponoi ndalimin e tyre./Insajderi.com