Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet që të mërkurën të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve lokale të mbajtura më 17 tetor.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se tashmë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, ka filluar numërimi i votave me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta.
Janë gjithsej 15 mijë e 482 fletëvotime që pritet të numërohen sot.
Prej tyre janë 12 mijë e 960 fletëvotime me kusht, kurse 2 mijë e 522 fletëvotime të personave me nevoja të veçanta.
“Numërimi i këtyre votave i hap rrugë KQZ-së për të shpallur rezultatet përfundimtare të Zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave. Natyrisht se kjo është e ndërlidhur me ecurinë e punëve këtu në QNR”.
“Prandaj, nëse gjithçka përmbyllet sipas planit, atëherë KQZ-ja do të mundet që gjatë ditës së mërkurë, 27 tetor, të shpall rezultatet përfundimtare të raundit të parë të Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të Komunave”, është shprehur Elezi para mediave.
Raundi i dytë i komunave që kanë shkuar në balotazh zhvillohet më 14 nëntor.