Zgjerohet Ushtria e Kosovës – betohen 337 pjesëtarë të rinj të FSK-së

Zgjerohet Ushtria e Kosovës – betohen 337 pjesëtarë të rinj të FSK-së

337 ushtarë të rinj kanë dhënë sot betimin në një ceremoni të organizuar të premten në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.

Në ceremoninë e certifikimit të rekrutëve të rinj të FSK-së, morën pjesë kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha dhe ministri i Brendshëm, Ekrem Mustafa.

Ministri Berisha u shpreh se dita e sotme shënon një ditë të rëndësishme për Ushtrinë e Kosovës. Ai ka treguar se në mesin e 337 rekrutëve të rinj, 52 prej tyre janë femra.

“Sot Forcave të Sigurisë së Kosovës po u bashkohen 337 pjesëtarë të rinj, nga të cilët 52 janë femra dhe 22 të tjerë janë pjesëtarë të komunitetit joshumicë. Forca e Sigurisë së Kosovës është institucioni më i besueshëm në vend dhe kjo vetëm falë punës të kolonelëve, oficerëve dhe nënoficerëve”, ka thënë ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha.

Ndërkaq, kryetari i Parlamentit të Kosovës dhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, deklaroi se i është mirënjohës ushtarëve të Kosovës, “që i bën qytetarët të ndihen më të sigurt”. /Insajderi.com