Në një intervistë për Telegrafin, Afërdita Uka-Fejzullahu nga ngrohtorja e qytetit ‘Termokos’ ka konfirmuar se me ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’ priten të rriten edhe kapacitetet e furnizimit me ngrohje edhe në kryqeytet.
Ajo tregon se me zgjerimin e projektit të kogjenerimit, qyteti i Prishtinës do ta zgjidh përfundimisht problemin e ngrohjes qendrore.
“Në pakon e ndërtimit të termocentralit ‘Kosova e Re’, fatmirësisht është paraparë si pako tenderuese e veçantë dhe pritet të ketë një mbulueshmëri mjaftë të madhe, ndoshta dhe për tërë qytetin e Prishtinës me kapacitetet që do t’i marrim. Është herët të flasim se sa konsumatorë do të përfitojnë, por shpresojmë se përfundimisht qyteti i Prishtinës do ta zgjidh problemin e ngrohjes me ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” dhe ndërlidhjes së Termokosit me këtë projekt”, tregon ajo.
Për mmentin, Kosova B është burimi i vetëm i kogjenerimit në Kosovë, që nënkupton prodhimin e energjisë elektrike dhe asaj termike në një process.
Sipas paralajmërimeve nga MZHE, në të ardhmen, Kosova e Re do të rrisë kapacitetin e ngrohjes termike që do të mundësojë zgjerimin e rrjetit në Prishtinë, Obiliq dhe Fushë Kosovë.
‘Kjo energji do të furnizojë me ngrohje 20,000 konsumatorë të rinj’, thuhet në broshurën e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik mbi kogjenerimin në kosovë.
Ndryshe, termocentrali i ri pritet të sjellë pavarësi energjetike në vend, dhe të sigurojë mjaftueshëm energji elektrike për furnizim të rregullt si dhe do të përkrahë zhvillimin, i cili nuk mund të ndodhë pa rrymë dhe në mungesë kapaciteteve të mjaftueshme energjetike.
Në Evropë, kogjenerimi furnizon mbi 90 milion konsumatorë (amvisëri dhe biznese) dhe përbën rreth 50% të konsumit të përgjithshëm me energji.
Momentalisht, nga rrjeti i Termokos me ngrohje furnizohen rreth 13,500 konsumatorë, numër ky që pritet të shtohet edhe për 20,000 konsumatorë pas ndërtimit e termocentralit të ri Kosova e Re dhe investimeve të nevojshme në rrjetin e ngrohjes qendrore.