ZGJIDHJA E PROBLEMEVE TË NDRYSHME TË MJEDISIT ME PËRDORIMIN E PAJISJEVE MICRO:BIT

ZGJIDHJA E PROBLEMEVE TË NDRYSHME TË MJEDISIT ME PËRDORIMIN E PAJISJEVE MICRO:BIT

Në Konkursin e Kodimit të organizuar nga British Council në kuadrin e programit “Shkollat e Shekullit 21”, nxënësit nga shkollat e mesme të ulëta të Kosovës patën mundësinë të gjenin zgjidhje për shumë probleme mjedisore, të sigurisë dhe qëndrueshmërisë me përdorimin e pajisjeve micro:bit. Gjatë konkursit të dyfishtë u mbajtën dy raunde të Sfidës – i katërti dhe i pesti, në të cilët u vlerësuan me çmime gjashtë ekipe shkollore, të përbërë nga dy nxënës secili.

Ekipi i nxënësve nga shkolla “Shtjefën Kurti” nga Komuna e Gjakovës fitoi vendin e parë në raundin e katërt me projektin fitues “Shkolla e Mencur”, që synonte të tregonte se si shkolla mund të strukturohet më mirë, të jetë më funksionale dhe më e sigurtë. Shkolla “Ukshin Miftari” nga Komuna e Gjakovës fitoi vendin e dytë me projektin e saj “Melodia nëpërmjet frutave” i cili kombinonte teknologjinë, si një element thelbësor i jetës njerëzore me natyrën, ndërkohë që vendin e tretë e fitoi shkolla “Zef Lush Marku” po nga Komuna e Gjakovës qëllimi i projektit të të cilës ishte të mundësonte kushtet për rritjen e bimëve dhe luleve në mjediset e shkollës. Rikujtojmë se raundi i katërt i trajnimeve është mbajtur në Komunën e Gjakovës.

Raundi i pestë i Sfidës së Kodimit u shënua me fitoren e projektit “Micro – Hospital” nga shkolla “Asdreni” nga Peja, që synonte të përmbushte synimet teknologjike dhe lehtësonte punën nëpërmjet përdorimit të pajisjes micro:bit dhe pajisjeve të tjera teknologjike për t’i mundësuar të rinjve të marrin pjesë në pjesën praktike. Vendi i dytë i takoi shkollës “Heronjtë e Dukagjinit” nga Gllogjani i Deçanit me projektin “Numri i nxënësve të klasës sime”, që tregonte se shumë nxënës arrijnë të ndjekin procesin e të nxënit nëpërmjet micro:bit-it, ndërsa vendi i tretë i takoi ekipit nga shkolla “Lidhja e Prizrenit” nga Komuna e Decanit meprojektin “The bio life – Matësi i lageshtisë së bimës”.

Pavarësisht pandemisë dhe të nxënit në distancë, mësuesit dhe nxënësit arritën me fleksibilitet dhe pasion të përgatisnin dhe të konkurronin me projekte novatore. Për të mundësuar sigurinë e shëndetit të të gjithë pjesëmarrësve, si procesi i aplikimit ashtu dhe Sfida u mbajtën online, dhe 20 ekipet më të mira u përzgjodhën për të prezantuar projektet e tyre përpara jurisë. Për herë të parë, British Council Kosova ka transmetuar drejtpërdrejt mbajtjen e Sfidës së Kodimit nëpërmjet platformës Facebook be.live.

Fituesit e Sfidës së Kodimit për secilin round u shpallën nga Ambasadori Britanik në Kosovë, Z. Nicholas Abbott, Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Znj. Arbërie Nagavci dhe drejtori i British Council Kosovë, Z. Angus Bjarnason.

Z. Nicholas Abbott, Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Republikën e Kosovës, theksoi në fjalën e tij përshëndetëse rëndësinë e programeve të tilla si “Shkollat e Shekullit 21“, të cilat i japin mundësinë të gjithë fëmijëve të marrin dije të përgjithshme dhe të shprehin plotësisht talentet e tyre, të mbështetur sigurisht nga mesues të përkushtuar dhe me përvojë. “Çdo konkurs kodimi është një mundësi e jashtëzakonshme për të zbuluar se si kodimi dhe shkathtësitë e zgjidhjeve të problemeve nëpërmjet micro:bit-ëve të mund të ndërgjegjësojnë dhe frymëzojnë zgjidhje novatore për shqetësime të rëndësishme botërore si dhe sfida vendore”.

Znj. Arbërie Nagavci, Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës Nagavci falënderoi Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar dhe Këshillin Britanik në Kosovë për ofrimin e kësaj mundësie për nxënësit dhe shkollat e Kosovës, dhe u shpreh se çdo sfidë kodimi është një mundësi e madhe për të mësuar se si kodimi me mikrobit dhe shkathtësitë e zgjidhjes së problemeve mund të ndihmojnë dhe frymëzojnë nxënësit për gjetjen e zgjidhjeve krijuese ndaj sfidave globale, të tillë tilla si ndryshimet klimatike. Gjatë fjalës së saj përshëndetëse, ministra Nagavci tha se “idetë kreative të nxënësve bashkë me ndihmën e mësuesve sa vijnë dhe bëhen më interesante dhe mjaft të vlefshme edhe për mesazhet që ato përcjellin”. “Për këtë i përgëzoj nxënësit tanë të dashur dhe stafin mësimor të cilët gjejnë mënyra të tilla për të alternuar anën mësimore teorike me atë praktike nëpërmjet projekteve të tilla”, theksoi ministrja Nagavci.

Juria lavdëroi ekipet e nxënësve dhe mësuesve sepse ata përdorën njohuritë e përvetësuara rishtazi dhe krijimtarinë dhe lidhën çdo gjë me zgjidhjet që duan të ndihmojnë komunitetet e tyre për të zgjidhur sfidat me të cilat përballemi.

Rreth programit “Shkollat e Shekullit 21”:
“Shkollat e Shekullit 21“ është programi më i madh i arsimit në Ballkanin Perëndimor, financuar nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, i cili synon të mbështesë një milion nxënës të moshës 10 -15 vjeç në mbarë rajonin për të zhvilluar shkathtësitë e Mendimit Kritik, Zgjidhjes së Problemeve dhe Kodimit.

Që nga fillimi i zbatimit të programit “Shkollat e Shekullit 21“ në Kosovë, janë shërbyer 605 shkolla fillore të mesme të ulëta, dhe janë trajnuar rreth 2,500 mësimdhënës për mendimin kritik, zgjidhjen e problemeve dhe kodimin, duke përkrahur kështu përmirësimin e arsimit në të gjitha shkollat fillore të mesme të ulëta publike në Kosovë.