Dialogu

“Zgjidhja nuk vjen nga Ndërkombëtarët”

Kosova e Serbia janë prej vitesh në dialog, por pa shumë rezultat. Sa herë bllokohet puna mes tyre, sytë kthehen nga ndërkombëtarët. Një profesor serb po thotë se zgjidhja duhet të kërkohet tjetërkund.

“Zgjidhja nuk vjen nga Ndërkombëtarët”

Kosova dhe Serbia shumë shpesh e kthejnë kokën nga ndërkombëtarët kur proceset bllokohen dhe kërkojnë shpëtim prej tyre, por duhet ta kuptojnë se zgjidhja nuk vjen nga jashtë.

Kështu është shprehur, Stefan Surliq, një profesor serb i Shkencave Politike, i cili ka shtuar se propozimet konkrete dhe  zgjidhje për vazhdimin e dialogut në mes të Kosovës e Serbisë, duhet të bëhen nga vet dy shtetet dhe jo të pritet nga aktorët ndërkombëtarë, shkruan Tanjug, njofton Insajderi.

Sipas tij në mes të Kosovës e Serbisë nuk ka besueshmëri edhe për faktin që shumica e marrëveshjeve që janë arritur, nuk janë realizuar në praktikë.

Prandaj, për rikthim në dialog nevojitet rishikim i të gjitha atyre marrëveshjeve që mbetën veç në letër.

“Aktorët ndërkombëtarë të interesuar për çështjen e Kosovës nuk do t’i japin zgjidhje konkrete Beogradit dhe Prishtinës. E vetmja gjë që mund të presim prej tyre është të shprehin parimet e tyre për atë që është e pranueshme dhe atë që është e papranueshme në marrëveshje, një skicë konkrete e marrëveshjes duhet të vijë nga Beogradi dhe Prishtina”, tha Surliq.

Tash kur Kosova ka qeveri të re, e cila e ka larguar reciprocitetin me Serbinë, gjasat për një rikthim në tavolinë të bisedimeve janë më të mëdha./Insajderi.com