Që nga muaji mars i vitit 2018, puna e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka qenë e ‘ngrirë’, për shkak të kërkesave të presidentit, Hashim Thaçi për emërimin e anëtarëve të rinj. Dy ditë më parë, presidenti dëshmoi edhe njëherë që e di se si t’i bindet amerikanëve.
Pak, orë pas reagimi të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila i bëri thirrje presidentit, Hashim Thaçi që të zhbllokohet puna në KQZ, nga zyra e presidentit u tha anëtarët e rinj të KQZ-së, të enjten më 28 mars 2019, do ta bëjnë betimin para të parit të shtetit.
Sot Thaçi dekretoi tetë anëtarët e rinj të KQZ-së. Pa, përfaqësues në këtë komision kanë mbetur Nisma Socialdemokrate e Partia Socialdemokrate.
I propozuar i LDK-së për KQZ, Florian Dushi për Insajderin tha se bllokimi i KQZ-së është i pa precedent i cili nuk do të duhej të ndodhte aq më pak për arsyet të cilat janë dhënë deri më sot nga kabineti i presidentit.
Ndërsa, Adnan Rrustemi i Vetëvendosjes tha se bllokimi i Komisionit Qendror të zgjedhjeve ka qenë i pa arsyeshëm dhe ka dëmtuar shumë procesin si brenda KQZ-së.
“Kjo ka dëmtuar edhe institucionet tjera si Kuvendet komunale, Kuvendin e Kosovës madje aktivitetet e subjekteve politike duke ia bllokuar fondin shtetërorë, pa dyshim se krejt këto e kanë dëmtuar demokracinë në vend”, tha Rrustemi.
A ndikoi reagimi i Ambasadës amerikane që Thaçi të ndërmarrë hapa drejt funksionalizimit të KQZ?
Dy ditë më parë Ambasada e SHBA-ve kërkoi nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi që të emërojë anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që ka mbetur jofunksional tash e një vit.
Kërkesën e ShBA-së e ka quajtur të qëlluar Florian Dushi i LDK-së.
“Reagimi ka qenë mjaft i qëlluar i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe natyrisht unë mendoj që gjithë ky grumbull presioni që është bërë ndaj zyrës së Presidentit sigurisht ka bërë që ata të veprojnë më shpejt siç pritej nga periudha e kaluar”, tha Dushi për Insajderin.
Në anën tjetër, Rrustemi ka përmendur aksionet e konferencat e partisë për bllokimin që po i bëhej këtij komisioni.
“Ne si Vetëvendosje kemi pasur një numër të madh të reagimesh për bllokimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, gjatë vitit të kaluar kemi pasur disa konferenca madje edhe në këtë vit konferenca e aksione simbolike për të sensibilizuar dëmet që sjell bllokimi i KQZ-së dhe përgjegjësinë që mban presidenti, natyrisht që kemi ftuar të gjithë akterët vendor e ndërkombëtar që të japin kontributin e tyre në funksion të zhbllokimit të KQZ-së si dhe të ruajtjes së demokracisë në vend. Pa dyshim se kanë reaguar edhe subjektet tjera opozitare dhe organizatat e shoqërisë civile, por edhe përfaqësuesit diplomatik të akredituar në vendin tonë në drejtim të zhbllokimit”, tha Rrustemi.
Në muajin qershor të vitit të kaluar, presidenti Thaçi, kishte kërkuar sqarime nga Gjykata Kushtetuese lidhur me mënyrën e emërimit të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Por, gjykata Kushtetuese e kishte quajtur kërkesën e presidentit si të papranueshme dhe që nuk hynë në juridiksionin e saj./Insajderi.com