Zhbllokohet rruga Prizren – Prevallë, ministria apelon për kujdes

Zhbllokohet rruga Prizren – Prevallë, ministria apelon për kujdes

Është hapur për qarkullim rruga Prizren-Prevallë, e cila ishte bllokuar pasditen e së hënës pas rrëshqitjes së dheut në këtë pjesë.

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës njofton se në kilometrin e gjashtë të këtij aksi rrugor, ka pasur rrëshqitje të materialit erodues nga masivi shkëmbor në pjesën e sipërme të saj.

“Ju informojmë se në rrugën Prizren – Prevallë, në kilometrin e gjashtë ku pati rrëshqitje të materialit erodues nga masivi shkëmbor në pjesën e sipërme të saj, dhe për pasojë bllokimin e kësaj rruge që nga mbrëmë pas orës 18.00 e deri me tani është bërë zhbllokimi i këtij aksi rrugor dhe trafiku mund te zhvillohet sikurse më parë”, thuhet në komunikatën për media.

Nga kjo ministri u kanë bërë thirrje shoferëve të kenë kujdes të shtuar nga rënie eventuale e gurëve.

“Bazuar në konfiguracionin e terrenit ku shtrihet kjo rrugë, bëjmë thirrje tek të gjithë ngasësit e automjeteve që të kenë kujdes të shtuar në të gjithë gjatësinë e saj, pra nga Prizreni deri në Prevallë. Kujdes duhet të bëhet nga ndonjë rënie eventuale e gurëve”.

Në vend të ngjarjes më 12 dhjetor, pati dalë edhe kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj.

“Pas rrëshqitjes se dheut mes dy tuneleve në rrugën Prizren – Reçan, isha në vend të ngjarjes. Nga personat kompetent, policia dhe ministria kompetencë e së cilës është përkujdesja për rrugën u informova se për fat të mirë nuk kishte të lënduar”, pati shkruar në Facebook Totaj.

“Rruga për shkaqe sigurie është përkohësisht e mbyllur. Ofrova ndihmën e Komunës së Prizrenit po që se kontraktorët e Ministrisë nuk mund të arrijnë me kohë dhe paraqitet nevoja për reagim të shpejtë”.