“Zhurmëkotët e zakonshëm” – Refuzimi i Bulliqit t’i përgjigjet Thaçit

“Zhurmëkotët e zakonshëm” – Refuzimi i Bulliqit t’i përgjigjet Thaçit

Kryetari i Komisionit Shtetëror për Shënjimin e Kufirit, Shpejtim Bulliqi ka refuzuar disa herë që ti përgjigjet presidentit të vendit, Hashim Thaçi, i cili sot pas deklaratave të vet Bulliqit se kanë gjetur fakte të reja për demarkacionin me Malin e Zi i ka quajtur ata “zhurmëkotët e zakonshëm”.

“Zhurmëkotët e zakonshëm, të cilët për më shumë se dy vjet shkaktojnë konfuzion, jo më larg se dje, iu rikthyen zanatit të tyre. Ata përsëri arritën që me lehtësi, duke mos argumentuar asnjë pretendim amatoresk të zbuluar nga ta, të manipulojnë mediat dhe nëpërmjet tyre opinionin publik”, shkroi presidenti në Facebook.

Bulliqi i cili si deputet i Kuvendit të Kosovës, nuk e ka votuar Hashim Thaçin si president, ka refuzuar që të përgjigjet për deklaratën e presidentit, që si kryeministër ka nënshkruar marrëveshjen ndërkombëtare për kufirin me Malin e Zi.

Kësisoj ai refuzoi të komentonte deklaratën e presidentit, duke thënë se si kryetar i komisionit nuk i takon që të komentojë deklarata politike.

“Ne jemi një komision profesional dhe as që kisha dashtë me u marrë me deklarata politike. Po e bëjmë punën tonë. Ju e dini shumë mirë, që në momentin kur kam qenë si palë politike, jam deklarua dhe kam dhënë shumë deklarata. Dhe tashmë nuk kisha dashtë me u ulë në nivelin e deklaratave të tilla”, ka thënë Bulliqi në Express.

Pasi është pyetur disa herë, për deklaratën e presidentit, ai ka thënë se presidenti po merret me tema politike, edhe pse posti i presidentit nuk ka të bëjë asgjë me politikën.

“Ne kemi respekt për të gjitha, edhe për Presidentin. Edhe ai është i brengosur, jam i bindur”, ka thënë Bulliqi./Insajderi.com