Murat Jashari, personi i arrestuar sot nga Policia e Kosovës si i dyshuari kryesor për tentim-vrasjen e Azem Vllasit, kishte kërcënuar përmes rrjetit social Facebook se do t’i vriste “tradhtarët” dhe se është “kancer për politikanët e korruptuar”.
Në një postim të bërë më 1 mars të këtij viti, i dyshuari për tentim-vrasjen e avokatit kosovar e quante vetën “kancer të politikanëve të korruptuar”.
“Murat Jashari, është Kanceri i politikanëve të korruptuar dhe të krimit të organizuar”, shkruante ai në mbishkrimin e një fotoje të tij, të publikuar në Facebook.
“Tradhtarët” siç i quante 60-vjeçari nga Kumanova ishin politikanët e korruptuar dhe ata që kryejnë krim të organizuar.
Në një bashkëbisedim me një person në hapësirën e komenteve në Facebook, Murat Jashari zotohej se do të vriste tradhtarët, njofton Gazeta Online Insajderi.
“Qysmet, do të vritet tradhtia”, kishte thënë Jashari, i cili është i dyshuari kryesor për tentim-vrasjen e Vllasit.
Policia e Kosovës përmes një konference për shtyp të mbajtur të hënën në Prishtinë ka konfirmuar arrestimin e Jasharit. Ai dyshohet se tentojë të vriste avokatin Azem Vllasi, mëngjesin e të hënës në Prishtinë.
Murat Jashari është 60-vjeçar nga fshati Orizare e Komunës së Kumanovës në Maqedoni.
Jashari nuk është fytyrë publikë, megjithatë njihet si vëllai i luftëtarit të UÇK-së, Ismet Jasharit, i njohur si “Komandant Kumanova”. /Insajderi.com