ZPS-ja urdhërohet që deri më 17 dhjetor të dorëzojë dosjen në rastin e Thaçit dhe të tjerëve

ZPS-ja urdhërohet që deri më 17 dhjetor të dorëzojë dosjen në rastin e Thaçit dhe të tjerëve

Gjyqtari, Nicolas Guillou ka urdhëruar Zyrën e Prokurorit të Specializuar që deri më 17 dhjetor të vitit 2021 të dorëzojë dosjen paraprake ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte, përcjell Insajderi.com.

Ky vendim është marrë pasi që në konferencën e tetë mbi ecurinë e çështjes më 29 tetor, prokuroria deklaroi se pasi kanë shqyrrtuar burimet, konfirmojnë se do të jenë në gjendje të dorëzojnë dosjen apraprake në rastin e Thaçit dhe të tjerëve, më 17 dhjetor.

Ndërkaq, lidhur me këtë deklarim, mbrojtja e të akuzuarve kishte shfaqur pakënaqësitë e tyre.

Ndryshe, sipas aktakuzës, mes marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë./Insajderi.com