ZPS kërkon që afati për dorëzimin e dosjes ndaj Shalës të shtyhet deri në janar

ZPS kërkon që afati për dorëzimin e dosjes ndaj Shalës të shtyhet deri në janar

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar që afati për dorëzimin e dosjes paraprake ndaj të akuzuarit Pjetër Shala, të shtyhet deri më 28 janar të vitit 2022, përcjell Insajderi.com.

Për këtë ka reaguar mbrojtja e të akuzuarit pasi ka thënë që koha është mjaft e gjatë, mbi 23 muaj, nga dorëzimi i aktakuzës deri në dorëzimin e dosjes paraprake, por që nuk e ka kundërshtuar shtyrjen e afatit.

Ndërkaq, Prokuroria ka njoftuar se ka dorëzuar dy paketa të materialeve shfajësuese, gjë të cilën e ka konfirmuar edhe mbrojtja.

Ndryshe, paraditen e së enjtes ka filluar konferenca mbi ecurinë e çështjes në rastin e Pjetër Shalës, i cili nuk ka qenë prezent fizikisht, por përmes video-lidhjes.

Në këtë konferencë, ZPS-ja ka paraqitur para gjykatësit punën deri më tani lidhur me çështjen ku ka thënë se shumica e materialeve janë përkthyer në gjuhën shqipe.

“Të gjitha ato që janë mundur të nxjerrë janë nxjerrë, ato që nuk janë nxjerrë janë objekt i një kërkese që nuk ka marrë zgjidhje. Sa i përket përkthimeve në shqip, ne e kemi nxjerrë paketën e fundit dje dhe me këtë mbyllim përkthimin në gjuhën shqipe të deklaratave të dëshmitarëve. Sa i përket akt ekspertizave, ka disa hapa hetimorë të pakryer që kanë mbetur. I kërkojmë leje gjykatës që të nxjerrim disa materiale të kësaj rregulle”, tha Prokurori.

Ndërkaq, avokati i Shalës, Jean-Louis Gilissen, ka kërkuar që t’i ketë në dorë disa shtojca nga materialet për të cilat thotë se nuk iu kanë dorëzuar.

Po ashtu, ai kërkoi që intervistat e dëshmitarëve të përkthehen në gjuhën shqipe.

“Çështja e incizimit, audio-video të disa prej deklaratave dhe intervistave të dëshmitarëve. Disa prej tyre nevojiten në formatin video, mungon përkthimi në pjesë të caktuara të intervistës sepse nganjëherë i ka disa gjeste që i bën dëshmitari dhe kamerës i tregojnë disa prova, janë të kufizuara por i kemi të nevojshme”, ka thënë mbrojtja.

Konferenca mbi ecurinë e çështjes ka përfunduar dhe është vendosur që ajo të mbahet më 15 nëntor.

Në aktakuzën e publikuar nga Dhomat e Specializuara, Shala, i njohur gjatë luftës si “Ujku”, dyshohet se së bashku me disa pjesëtarë të tjerë të UÇK-së, kishin mbajtur të izoluar në fabrikën e metalit në Kukës disa persona pa proces ligjor të rregullt, duke i trajtuar në mënyrë çnjerëzore.

Shala dyshohet se ndaj të ndaluarve kishte ushtruar dhunë psikike dhe fizike duke i kërcënuar me vdekje, duke i frikësuar dhe duke i marrë në pyetje. Veprat e lartpërmendura dyshohet se ishin kryer mes 17 majit dhe 5 qershorit të vitit 1999./Insajderi.com