Zv/ministri i Arsimit prezantohet si VIP në trafik, policët ankohen se i kërcënoi me ndëshkime

Zëvendësministri i Arsimit, Arbër Geci, dyshohet se ka kërcënuar dy zyrtarë policorë që kanë qenë duke i shqiptuar tiketë vëllait të tij, për kundërvajtje në trafik. “Mbaje mend ki me pa ti se kush jam unë që po e shqipton tiketën”, u ka thënë ai duke ua kërkuar edhe numrat për  “me ju raportu te ministri”.

Zv/ministri i Arsimit prezantohet si VIP në trafik, policët ankohen se i kërcënoi me ndëshkime

Arbër Geci, zëvendësministër i Arsimit, dyshohet se ka penguar zyrtarët policor në kryerjen e detyrave zyrtare.

Insajderi merr vesh se policia ka qenë duke i shqiptuar një tiketë për kundërvajtje në trafik vëllait të zëvendësministrit Geci, pasi që vetura e tij ka qenë e parkuar në hapësirë që nuk është e lejuar, në rrugën “Rrustem Statovci”, në Prishtinë.

Geci, i cili fillimisht nuk kishte qenë i pranishëm,  ishte afruar duke u prezantuar si VIP, para policëve. Siç merr vesh Insajderi, ai i ka kërcënuar policët duke u thënë “keni me pa kush jam unë që po e shqipton dënimin”, dhe me fjalët “ama numrin se ke me pa kush jam unë dhe këtë kam me raportu te ministri”.

Polici zyrtar i kishte kërkuar Gecit disa herë që të largohej pasi që ai nuk kishte kryer kundërvajtje po vëllau i tij, dhe se ai është i barabartë siç do qytetar tjetër, por Geci kishte vazhduar me kërcënime.

Rasti ka ndodhur të enjten rreth orës 09:50, në rrugën “Rrustem Statovci”, në Prishtinë.

Lidhur me këtë rast është informuar edhe njësia e hetimeve, të cilët po ashtu e kanë lajmëruar edhe prokurorin kujdestar. /Insajderi.com