Së pari duhet të arrihet marrëveshja finale me Serbinë, e pastaj të shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Kështu të paktën ka thënë zv/kryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj.
Hoxhaj në një intervistë për Gazetën Insajderi, ka deklaruar se opozitës dhe Kosovës i shkon për shtati që fillimisht të arrihet marrëveshja me Serbinë.
“S’kemi nevojë të mendojmë për zgjedhje në vitin 2018. Duhet ta mbyllim temën e dialogut, duhet ta kemi një delegacion ta nënshkruajmë marrëveshjen, dhe pastaj të mirremi vesh se kur duhet të ketë zgjedhje të parakohshme. Besoj kjo i shkon për shtati opozitës, por edhe shtetit të Kosovës”, tha fillimisht Hoxhaj.
Sipas tij, pas marrëveshjes me Serbinë duhet të kalojnë gjashtë muaj, që pastaj të mund të ketë zgjedhje.
Hoxhaj thotë se ideja e opozitës me zgjedhje, është që të blejë kohë.
“Kohë ideale për zgjedhje nuk i takon një njeriu apo një partie, por pas arritjes së marrëveshjes me Serbinë. Por edhe nëse arrihet marrëveshja duhet periudhe prej 6 muajsh. Qëndrimi jonë është që nuk duhet tash të koncentrohemi në zgjedhje. Zgjedhjet nuk do të ndryshojnë në Kosovë. Ideja e opozitës për zgjedhje është që të blejë kohë”, deklaroi Enver Hoxhaj. /Insajderi.com