Zëvendësministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Arbëreshë Krasniqi, ka thënë se Parku i Biznesit në Drenas do të rritet edhe për 30 hektar, duke krijuar kushte sa më të mira për bizneset vendore dhe të huaja.
Krasniqi tha se duke pasur parasysh kërkesën e shtuar nga bizneset vendore dhe të huaja, MTI ka iniciuar zgjerimin e parkut të biznesit.
Krasniqi, në Seminarin e Biznesit Ndërkombëtar për Zhvillimin e Zonës Industriale të Re në Drenas, bëri të ditur se gjatë këtij mandati MTI ka vendosur krijimin e kushteve për t’iu ofruar bizneseve infrastrukturë moderne që iu mundësojnë bizneseve operim më të lehtë dhe hapje të vendeve të reja të punës.
“Zonat ekonomike shërbejnë për qasje më të lehtë në autostradë, në ujë, rrymë e infrastrukturë përcjellje. Kemi shpallur 9 zona, dhe parku i Biznesit në Drenas, pjesa e dytë MTI ka filluar projektin për ndërtimin dhe është një projekt 30 hektar, dhe të gjitha investimet janë nga MTI”, tha Krasniqi.
“MTI-ja bashkë me MMPH dhe Ministrinë e Financave ka incizuar dhe kompletuar për shpronësimin e zonës ekomomike në Drenas, kjo zonë përfshinë sipërfaqen prej 61 hektarë dhe më vonë është zvogëluar ku do ndërtohet Stadiumi Kombëtar, dhe tani kjo zonë pritet të ketë rreth 30 hektar.
Projekti parasheh investime kapitale dhe ndërtimin e qendrës për trajnime profesionale”, tha Krasniqi.
Zëvendësministrja theksoi se me kompletimin e zonave ekonomike, Kosova po krijon kushte për investitorët e huaj dhe vendor, që njëkohësisht ua ulë koston për shkak të qeras së vogël që kanë këto zona.
“Po ashtu së shpejti fillon ndërtimi i zonës ekonomike në Malishevë, që është e dedikuar veçanërisht për bizneset e diasporës, gjë që për herë të parë po iu ofrohen kushte konkrete, që s’ka ndodhë më herët”, tha Krasniqi.
Ajo bëri të ditur se edhe në Skenderaj do të fillon së shpejti ndërtimi i inkubatorit të bizneseve dhe do të ketë edhe investime të tjera.