Ende nuk dihet se kur do të dalin para Gjykatës zyrtarët e shtetit, të cilët gjuajtën me armë në odën e Fatmir Limajt, në Banjë të Malishevës. Ndonëse është caktuar gjyqtari i çështjes, ende nuk është vendosur se kur do të mbahet seanca fillestare.
Fundi i nëntorit të 2017-s i kishte bërë bashkë Dardan Gashin, Endrit Shalën e Sami Lushtakun në odën e zëvendëskryeministrit, Fatmir Limajt, për të festuar lirimin e këtij të fundit nga të gjitha akuzat sa ishte ministër i Transportit.
Për të festuar lirimin e Limajt, zyrtarët shtetërorë kishin gjuajtur edhe me armë. Për këtë rast, në maj të këtij viti, Prokuroria Themelore e Gjakovës kishte ngritur aktakuzë ndaj ministrit Dardan Gashi, Endrit Shalës, Sami Lushtakut dhe tre personave të tjerë.
Por, ndonëse kanë kaluar më shumë se gjashtë muaj qëkur është ngritur aktakuza, deri këtë muaj nuk është caktuar gjyqtari i çështjes, e rasti po vazhdon të zvarritet.
Në Gjykatën Themelore të Gjakovës kanë deklaruar se lënda është ndarë të gjyqtari para dy jave.
Zyrtari për Informim në Gjykatën Themelore të Gjakovës, Lekë Muçaj, i ka thënë Gazetës Express se arsyeja se pse lënda nuk i është ndarë deri tani gjyqtarit është numri i madh i lëndëve.
Muçaj ka thënë se lëndët e pranuara gjatë vitit 2018 kanë qenë në pritje për t’u ndarë deri në emërimin e gjyqtarit të ri.
“Duke qenë se Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, nga fillimi i vitit 2018 e deri në fund të këtij viti ka mbetur me një gjyqtar të vetëm në Divizionin Penal, dhe si rrjedhojë janë krijuar një numër i madh i lëndëve, lëndët e pranuara gjatë vitit 2018 kanë qenë në pritje për t’u ndarë deri në emërimin e gjyqtarit të ri”, ka thënë Muçaj.
Derisa ka thënë se lënda në fjalë do të caktohet për gjykim “në bazë të prioriteteve ligjore, të vjetrimit (afateve të parashkrimit), rasteve të dhunës në familje etj.”
Ngritjen e aktakuzës ndaj zyrtarëve të shtetit që gjuajtën me armë në odën e Limajt e kishte konfirmuar prokurori, Ismet Tofaj.
“Është ngritur aktakuza ndaj gjashtë personave”, kishte thënë Tofaj.
Por, Prokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë nuk kishte pranuar të japë detaje të tjera duke përsëritur se aktakuza është ngritur për gjashtë persona të përfshirë në gjuajtje me armë në Banjë të Malishevës.
Zëvendëskryeministri Dardan Gashi, ish-kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku, Endrit Shala ishin xhiruar teksa kishin gjuajtur me armë në ditën kur Fatmir Limaj ishte shpallur i pafajshëm nga të gjitha akuzat sa ishte ministër i Transportit.
Pas publikimit të këtyre pamjeve kishin nisur hetimet. Policia kishte marrë në pyetje të dyshuarit, ndërkohë, pesë muaj më vonë rezultoi me aktakuzë.
Përpos tre zyrtarëve të Shtetit, Prokuroria ka ngritur aktakuzë edhe ndaj tre personave të tjerë. Prokurori nuk i ka dhënë emrat e gjithë të akuzuarve.
Veprimet e zyrtarëve të shtetit, i pari i Qeverisë, Ramush Haradinaj, i kishte arsyetuar, duke i ndërlidhur me traditën shqiptarëve.