Zviceranja që e la Zvicrën për Kosovën dhe ndërtoi një shtëpi në fshat

Zviceranja që e la Zvicrën për Kosovën dhe ndërtoi një shtëpi në fshat

Më shumë se 100 mijë kosovarë jetojnë në Zvicër, por shumë pak zviceranë kanë zgjedhur të kundërtën. Por, një rast i veçantë është ai i zviceranes 76-vjeçare Elisabeth Kuchler.

76-vjeçarja zvierane e ka lënë shtetin e saj të lindjes para pesë vitesh. Që prej asaj kohe ajo jeton në Kosovë, raporton Insajderi.

Për shkak se nuk mund të përballonte jetën në Zvicër me shumën e parave që fitonte nga pensioni, Kuchler zgjodhi të vinte në Kosovë. Në një intervistë për gazetën zvicerane Blick, ajo tregon arsyet përse zgjodhi Kosovën.

“Nuk mund të mbijetoj me frangat zvicerane që fitoja nga pensioni në Zvicër. Unë jam një refugjate ekonomike këtu [në Kosovë]”, thotë Kuchler.

Me të ardhur në Kosovë, 76-vjeçarja kontaktoi një arkitekt dhe bleu një copë tokë. Ajo vendosi ta ndërtonte një shtëpi në shtetin më të ri evropian, raporton Insajderi.

“Kur ata e kuptuan që doja me të vërtetë t’i shkoja deri në fund kësaj pune [ndërtimit të shtëpisë v.j], më deklaruan të çmendur”, deklaroi Kuchler për gazetën Blick.

Ajo e ka ndërtuar një shtëpi në fshat dhe jeton një jetë të rehatshme në Kosovë. Ka një pastruese të shtëpisë dhe i njeh banorët e tjerë të fshatit.

“Mësimi i një gjuhe të re është praktikisht e pamundur për mua – për shkak të moshës sime”, shprehet zviceranja 76-vjeçare.

Sa i përket Zvicrës, pensionistja Kuchler thotë se do të rikthehet vetëm kur të vdesë. Ajo i ka thënë gazetës Blick që dëshiron që trupi i saj të varroset në vendlindje. /Insajderi.com