Zvicra është shteti nga i cili vijnë më së shumti udhëtarë në Kosovë përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari”, tramsmeton Insajderi.
Pas saj janë Gjermania, Austria e Turqia të cilat po ashtu kanë numër të madh të fluturimeve që aterojnë në Kosovë.
Këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e këtij aeroporti, Valentina Gara, në Edicionin Special në Klan Kosova e cila tregoi se këtë javë ka pasur rreth 90 fluturime në ditë, derisa të shtunën pritet të ketë edhe më shumë.
“Siç e dini në tri javët e para të muajit korrik kemi pasur një fluks më të shtuar të udhëtarëve duke arritur rekord në numrin e fluturimeve dhe udhëtarëve që është një numër më i madh sesa në muajin korrik të vitit 2019, duke mos pasur parasysh vitin e kaluar kur nuk kemi pasur fluturime.”
Ajo tutje shtoi se raportimi se të premten u thye rekordi sa i përket aterimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës nuk qëndron.
“Ne kemi pasur më parë fluturime edhe më shumë sesa dita e sotme, por nëse e krahasojmë me ditët paraprake sot kemi pasur një ditë më të ngarkuar”.
Gara shpjegoi se nga ana teknike ky aeroport ka kapacitete që të pranojë deri në 3.5 milionë udhëtarë, por deri më tani kanë arritur deri në 1 milion.
Gjithashtu ajo tha se nga data 1 korrik e deri të premten ka pasur 187 mijë udhëtarë në vajtje-ardhje, ndërkaq në total 700 mijë udhëtarë kanë arritur ose janë nisur nga Aeroporti “Adem Jashari”.
Ndryshe, numri i mërgimtarët që kanë zgjedhur të kalojnë pushimet në Kosovë është shumëfishuar pasi që një pjesë e tyre nuk kanë mundur që të vijnë vitin e kaluar për shkak të pandemisë COVID-19./Insajderi.com