Zv/kryeministri serb: Pas deklaratës së Haradinajt, më shqetësojnë dy gjëra

Zv/kryeministri serb: Pas deklaratës së Haradinajt, më shqetësojnë dy gjëra

Zëvendëskryeministri në Qeverinë e Serbisë, Nebojsha Stefanoviq ka thënë se shqiptarët nuk do të mund ta marrin asnjë metër të territorit të Serbisë, duke reaguar kështu ndaj deklaratës së Ramush Haradinajt.

Haradinaj kishte deklaruar se Kosova do të zgjerojë territorin e saj deri në Nish.

E Stefanoviq në një intervistë me gazetën serbe Blic, deklaroi se është i shqetësuar me deklaratën e ish-kryeministrit të Kosovës, shkruan Insajderi.

“Shqiptarët e dinë se nuk do të jenë në gjendje të kalojnë një metër në territorin e Serbisë”, u shpreh Stefanoviq.

Zëvendëskryeministri serb ka thënë se e shqetësojnë dy gjëra. Shqetësimet e Stefanoviqit janë mosreagimi i Bashkimit Evropian, dhe rreziku që sipas tij, tani u kanoset serbëve të Kosovës.

“Kërcënimi konstant ndaj serbëve që jetojnë në Kosovë dhe Metohi është një shqetësim. Një tjetër shqetësim është mungesa e reagimeve serioze nga komuniteti ndërkombëtar, veçanarisht nga Bashkimi Evropian”, deklaroi ai. /Insajderi.com