Zv/ministrat e MPJ-së: “Veterani” i posteve qeveritare dhe kandidati që i humbi zgjedhjet

Zv/ministrat e MPJ-së: “Veterani” i posteve qeveritare dhe kandidati që i humbi zgjedhjet

Kryeministri Ramush Haradinaj, si drejtuesi i qeverisë me më së shumti ministri, gjithsej 21, ka emëruar katër zëvendësministra në Ministrinë e Punëve të Jashtme, duke e plotësuar numrin prej 58 të tillëve në të gjitha dikasteret qeveritare.

Rejhane Vuniqi, Besnik Hoti,  Anton Berisha dhe Gjergj Deda do të jenë zëvendës të ministrit të MPJ-së Behgjet Pacolli.

Por deri tani në ueb faqen e kësaj ministrie është publikuar vetëm biografia e Anton Berishës por jo edhe zëvendësministrave tjerë.

Anton Berisha, ka lindur me 20 tetor 1966. Ka diplomuar në vitin 1991 në Fakultetin e Elektroteknikës, Universiteti i Prishtinës.

Ka shërbyer si kryetar i bordit dhe shef ekzekutiv i Autoritetit Kombëtar Rregullator në periudhën 2004-2009, në misionin e OSCE  në periudhën 1998-2004, si dhe detyra të tjera në kompani vendore dhe ndërkombëtare.

Berisha i takon gjeneratës së parë të ambasadorëve të karrierës të emëruar me 2009 dhe ka shërbyer si Ambasadori i Parë i Republikës së Kosovës në Slloveni. .

Është Anëtar i Kryesisë Qendrore në AAK – Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në sektorin e Politikës së Jashtme dhe të Integrimeve Europiane.

Biografia e Rejhane Vuniqit nuk është publikuar në ëebfaqen e MPJ-së. Po ajo në llogarinë e saj në Facebook ka shkruar se ka qenë asambliste në komunën e Prishtinës si dhe këshilltare politike e Behgjet Pacollit.

Besnik Hoti, ka qenë kandidat për kryetarë të komunës së Rahovecit nga Nisma për Kosovën. Hoti i humbi zgjedhjet në Rahovec por ai u emërua zëvendësministër i Punëve të Jashtme.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjve, Hoti arriti të marrë 678 vota të qytetarëve të Rahovecit.

Ministria e Drejtuar nga Behgjet Pacolli është “forcuar” me emërimin e zëvendësministrit Gjergj Dedaj.

Dedaj, njihet si një nga njerëzit që ka zënë postin e zëvendësministrit në çdo qeveri e cila ka ardhur në pushtet. Ai ka qenë katër herë zëvendësministër, fillimisht në ministrinë e Punës, pastaj i ministrisë së Transportit, ministrisë së Kulturës dhe në mandatin e kaluar zv/ministër i Administrimit dhe Pushtetit Lokal.

Dedaj është shkarkuar dy herë për shkak të keqpërdorimit të parasë publike.

Gjergj Dedaj është themelues i Partisë Liberale të Kosovës. /Insajderi.com