Zyba i përgjigjet Haradinajt pasi e quajti sekser të votave

Zyba i përgjigjet Haradinajt pasi e quajti sekser të votave

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba i është kundërpërgjigjur deklaratave të liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pasi ky i fundit e quajti sekser, duke e akuzuar për trafikim të votave për zgjedhjen e Vjosa Osmanit në krye të Presidencës.

Zyba ka pranuar se është takuar me njërën nga deputetet e AAK-së, Albana Bytyqin, por ka mohuar se i ka bërë presion për të votuar.

Ai ka thënë se me deputeten në fjalë ka pirë kafe në një lokal dhe se e njëjta ka pasur bindje që të votojë, porse e ka respektuar qëndrimin e partisë.

“Unë meqenëse jam i Therandës dhe dy deputete të AAK-së janë nga Theranda, njëra prej deputeteve është motra e një anëtari të Kryesisë së degës së VV-së ku kryetar jam unë. Një ditë kemi pirë kafe me deputeten Albana Bytyqi-Kuqi por nuk ka pas as joshje as asgjë përveç diskutim për rrjedhat aktuale politike. Mendoj që gjatë diskutimit e kam kuptuar që e njëjta ka bindje që duhet të votojë për e ka respektuar qëndrim e partisë, të cilin e respektoj edhe unë”, ka thënë ai për Kohën,.

Ndërsa, lidhur me deklaratën e Haradinajt, Zybaj ka thënë se një pjesë e konsiderueshme e ish-pushtetarëve me përvojat e tyre mendojnë se mund të etiketojnë e shantazhojnë deputetët.

“Sa i përket deklaratës së Haradinajt më vjen keq për nivelin që ka rënë ai dhe një pjesë konsiderueshme e ish-pushtetarëve dhe me përvojat e hidhura të tyre mendojnë të etiketojnë dhe apo shantazhojnë deputetë dhe zyrtarë të tjerë.

Praktika e blerjes së votave i takon së kaluarës dhe ndoshta përfshirë edhe vetë Haradinajn për jo mua personalisht dhe as subjektit që i takoj. Është angazhim im i plotë për të dhënë kontributin në Kuvend”, ka theksuar ai./Insajderi.com