Zyberaj: Dëshmitë për mungesë votash nuk u morën parasysh nga KQZ-ja për rinumërim

Zyberaj: Dëshmitë për mungesë votash nuk u morën parasysh nga KQZ-ja për rinumërim

Jetlir Zyberaj, kandidat për deputet nga Aleanca Kosova e Re e cila bënte pjesë në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, thotë se edhe pas 13 vjetësh shtet ende po ndodhë manipulimi dhe vjedhja e votave në zgjedhje, transmeton Insajderi.

Zyberaj tha se në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka dorëzuar dëshmitë për mungesë votash dhe këto nuk u morën fare parasysh nga Komisioni Qendror Zgjedhor për rinumërim.

“Unë i kam prezantuar dëshmitë konkrete me deklarata me shkrim nga votues dhe familjarë që kanë votuar në qendra të caktuara të votimit por që duke i parë formularët e prezantuar në ëebfaqën e KQZ-së ato vota nuk figurojnë fare dhe këta persona japin deklaratë dhe për këto deklarata mbajnë përgjegjësi penale dhe janë të gatshëm për një gjë të tillë. Por, fatkeqësisht dhe për habinë time këto deklarata nuk janë marrë për bazë nga KQZ-ja dhe nuk janë cilësuar si prova të mjaftueshme për t’u hapur ato kuti dhe është e paqartë për mua se çfarë prova tjera duhet t’i ofrohen PZAP-së”, ka thënë ai.

I ftuar në emisionin ‘Rubikon’, Zyberaj shprehet se manipulimi me vota ndërmjet subjekteve politike u zëvendësua me manipulime të votave të kandidatëve brenda një subjekti politik.

“Fatkeqësisht në 13 vjet shtet ende në procesin e konsolidimit tonë ne kemi arritur që ta tejkalojmë atë hijen e turpit që në të kaluarën ndodhte me manipulimin dhe vjedhjen e votave ndërmjet subjekteve politike – por që ky fenomen u zëvendësua me manipulimet e votave të kandidatëve brenda një subjekti politik”, është shprehur ai.

“Ky fenomen po vazhdon të ndodhë edhe sot e kësaj dite ku edhe në zgjedhjet e fundit u përsërit. Mirëpo, mirë që opinioni është sensibilizuar dhe po e trajton këtë fenomen me një vëmendje jashtëzakonisht të madhe”, shton Zyberaj.

“Ata që e njohin mirë procesin zgjedhor e din që në momentin kur përfundon procesi dhe mbyllen kutitë e votimit atëherë fillon procesi i numërimit të votave të subjekteve politike e pastaj kalon tek numërimi i kandidatëve – në këtë moment siç duket bie vëmendja e vëzhguesve dhe komisionerëve të caktuar nga subjektet përkatëse dhe vëmendja përqendrohet vetëm tek votat e kandidatëve të cilat orientohen pastaj nga ata komisionerë që e bastardojnë këtë proces duke përshkruar votat sipas direktivave që i kanë”, tha Zyberaj. /Insajderi.com