Publikimin e lajmit se këshilltari i kryeministrit Ramush Haradinaj, Gazmend Syla, i emëruar sot në kabinetin e Kryeministrit, është i dyshuar se ka lidhje me krimin, ka bërë që Zyra për Media e kryeministrit ta quaj si fushatë kundër Qeverisë.
Insajderi raportoi sot Haradinaj e ka emëruar Gazmend Sylën këshilltar për çështje të veteranëve të luftës dhe sesi Syla në shumë dosje hetimore dyshohet si njeri i lidhur me grupet më të rrezikshme të vrasësve në Kosovë.
Ai ishte pjesë e rastit të rrëmbimit të biznesmenit Azem Morina, së bashku me Bedri Krasniqin dhe dy truproje të Haradinajt. Syla kishte lidhje të shumta me grupin e vrasësve të dy policëve në vitin 2004.
Zyra për Media e kryeministrit Haradinaj, ka reaguar duke thënë se se shprehin “keqardhje për publikimin ose ritransmetimin e informatave të pasakta e tendencioze nga disa media, lidhur me emërimin e Gazmend Sylës, këshilltar politik i Kryeministrit për çështje të veteranëve të luftës të UÇK-së”.
Kryeministri Haradinaj emëron këshilltar një të dyshuar për lidhje me krimin
Sipas Zyrës për Media, “Gazmend Syla pavarësisht pretendimeve, nuk ka asnjë proces të hapur dhe asnjë telash me ligjin”.
Insajderi ka kërkuar sqarime nga kabineti i Haradinajt për emërimin e Sylajt – këshilltar. Këshilltari tjetër i Haradinajt, Avni Arifi pyetjet e Insajderit i ka cilësuar neveritëse dhe të pavërteta.
“Unë edhe dje ju rekomandova që të kontaktoni zyrën për komunikim. Megjithatë komenti i vetëm për akuzat e përmendura se janë neveritëse dhe te pavërteta”, ka thënë Arifi.
E sipas Zyrës së Kryeministrit, lajmet e tilla janë një fushatë kundër Qeverisë.
“Publikimi i informatave për akuza të pavërtetuara ndaj z. Syla por edhe të tjerëve, për ne përbënë shkelje të etikës profesionale dhe e konsiderojmë fushatë të disa mediave kundër Qeverisë së Kryeministrit Haradinaj”, thuhet në reagimin e Qeverisë./Insajderi.com