Emërimi i dy ministrave të rinj gjatë kësaj jave nuk është pjesë e ndonjë riformatimi rrënjësor të qeverisë “Haradinaj”, por nuk përjashtohet mundësia që të ketë ndryshime të vogla në të ardhmen.
Duke folur për emërimin e ministri të ri të Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa dhe të atij të Mjedisit Fatmir Matoshit, në Zyrën e Kryeministrit kanë mohuar për “Zërin” mundësinë e riformatimit rrënjësor.
“Nuk do të ketë riformatim rrënjësor të Qeverisë. Kërkesa për zëvendësimin e ministrave nga AKR-ja ka ardhur nga kjo parti e koalicionit”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë.
Në anën tjetër, përfaqësues të subjekteve opozitare konsiderojnë që ndërrimet e udhëheqësve të dikastereve ministrore janë vetëm lojëra të koalicionit qeverisës.
Ndërsa njohës të çështjeve politike në vend vlerësojnë që kryeministri Haradinaj nuk ka kontroll mbi ministritë, përderisa thonë se ndërrimet brenda dikastereve po bëhen vetëm për interesa partiake.