Derisa në medie po raportohet se është shtyer takimi ndërmjet liderëve të Kosovës dhe Serbisë në Uashinton që pritet të mbahet më 2 shtator, nga kryeministria thonë se nuk janë në dijeni për një ndryshim të tillë.
Gazeta Online Insajderi ka kontaktuar me këshilltarin për media të kryeministrit Avdullah Hoti, Xhavit Beqiri, i cili tha se nuk kanë asgjë zyrtare për ndonjë vonesë të mundshme të këtij takimi.
“Nuk kemi asgjë zyrtare, por në qoftë se do të ketë diçka do të iu njoftojmë”, ka thënë shkurtazi Beqiri për redaksinë.
Ky takim i cili është planifikuar të zhvillohet në Shtëpinë e Bardhë midis të dyja palëve me ndërmjetësim të të Dërguarit të Posaçëm të SHBA-së për dialogun, Richard Grenell, dhe këshilltarit për Siguri, Robert O’Brien.
Takimi në SHBA që ishte paraparë të mbahej më 27 qershor ishte shtyrë edhe një herë për datën dy shtator, meqë Prokuroria Speciale në Hagë ngriti propozim aktakuzë ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, që atë kohë ishte duke udhëtuar për në Uashington. /Insajderi.com