Zyra e Kryeministrit tregon kërkesën e Haradinajt për Kurtin në takimin e sotëm

Zyra e Kryeministrit tregon kërkesën e Haradinajt për Kurtin në takimin e sotëm

Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka bërë të ditur kërkesën e kryetarit të Aleancës për Ardhëmrinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, të cilën ia parashtroi kryeministrit Albin Kurti në takimin e tyre të mbajtur sot, njofton Insajderi.

Përmes një komunikate për media, nga ZKM bëhet me dije se Haradinaj ka kërkuar përfshirjen më të madhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialogun Kosovë-Serbi, krahas Bashkimit Evropian, teksa ka shprehur gatishmërinë e partisë që e përfaqëson për të bashkëpunuar me qeverinë për tema të interesit nacional.

“Z. Haradinaj kërkoi përfshirje më të madhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialog krahas Bashkimit Evropian. Ai theksoi gatishmërinë e tij dhe të AAK-së për bashkëpunim me Qeverinë për tema të interesit nacional”, thuhet në komunikatë.

Më tej në këtë njoftim thuhet se Kurti e ka njoftuar Haradinajn për takimet që pati me përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit Evropian në Bruksel dhe për përgatitjet për procesin e dialogut të ardhshëm me Serbinë.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar vazhdimisht se për çështjet me interes nacional do të konsultohet dhe do të kërkojë bashkëpunim të mirëfilltë me partitë dhe liderët opozitarë”, thuhet në njoftim. /Insajderi.com