Zyra e Presidencës: Osmani ka kompetenca të plota, çdo interpretim tjetër është tendencioz

Zyra e Presidencës: Osmani ka kompetenca të plota, çdo interpretim tjetër është tendencioz

Kabineti i Ushtrueses së Detyrës së Presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar më anë të një prononcimi për media si kundërpërgjigje ndaj pretendimeve se Osmani si ushtruese e detyrës së presidentit, ka kompetenca të kufizuara, njofton Insajderi.

Në reagim zyrtar zyrës së Kabinetit të Osmanit thuhet se “U.d e Presidentes nuk ka asnjë kufizim në ushtrimin e kompetencave kushtetuese. Përderisa ushtron detyrën e Presidentes, ajo njëkohësisht ushtron edhe të gjitha kompetencat e plota të kreut të shtetit, ashtu siç e parasheh Kushtetuta dhe e drejta pozitive në tërësi”.

Si dëshmi për faktin se Osmani ka kompetenca të plota në ushtrimin e detyrë zyrtare, kabineti i saj ka sjellur aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, konkretisht rastet KO 29/12 dhe KO 48/12.

Në këto aktgjykime trajtohet propozimi i Kuvendit për kufizim të kompetencave të u.d. të Presidentit përmes amendamenteve kushtetuese. Megjithatë, këto amendamente Kushtetuese, asnjëherë nuk janë votuar e as nuk kanë hyrë në fuqi. Ndaj kanë mbetur vetëm propozim-amendamente, pa u materializuar. Pra nuk janë bërë asnjëherë pjesë e Kushtetutës.

Tutje në reagim thuhet që “në rastin në fjalë, Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar se amendamentet e propozuara pakësojnë të drejtat dhe liritë e njeriut. Për këtë arsye këto propozim-amendamente nuk janë formalizuar asnjëherë”.

Në fund të reagimit thuhet se deri sa nuk ka asnjë amendament kushtetues, i cili miratohet në Kuvend e bëhet pjesë e kushtetutës dhe  kufizon kompetencat e u.d. të Presidentes, atëherë u.d Presidentja i gëzon të gjitha kompetencat kushtetuese të Presidentit që nga momenti kur ka filluar ushtrimin e detyrës, ndryshe çdo interpretim tjetër është tendencioz./Insajderi.com