Zyra e Prokurorit të Specializuar e konfirmon për Insajderi.com: Ip nuk punon më për Specialen

Zyra e Prokurorit të Specializuar e konfirmon për Insajderi.com: Ip nuk punon më për Specialen

Zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë, Christofer Bennett, e ka konfirmuar për Gazetën Online Insajderi se zëvendësprokurori në këtë zyrë, Kwai Hong Ip, nuk punon më në këtë institucion.

Bennett tha se Ip është larguar nga ZPS gjatë kësaj vere, meqë ka gjetur një mundësi tjetër punësimi, duke mohuar kështu se ky zëvendësprokuror ka dhënë dorëheqje pas dërgimit të dosjeve në zyrat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai tutje ka thënë se ky dikaster i Gjykatës Speciale, nuk komenton raportimet e mediave dhe nuk jep komente në lidhje Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

“SPO nuk komenton raportet e medias, pavarësisht se sa të gabuar mund të jenë, dhe nuk ka asnjë koment në lidhje me Shoqatën e Veteranëve. Lidhur me z. Ip, ai u largua nga SPO këtë verë për të gjetur një mundësi tjetër punësimi dhe tani, për këtë arsye, po punon për një institucion tjetër”, ka thënë Bennett për Insajderi-n.

Gjatë ditës së sotme është raportuar se zëvendësprokurori Ip, si njëri nga prokurorët kryesorë të Hagës, ka dhënë dorëheqje pas zbulimit të emrave të dëshmitarëve dhe dëshmive të tyre, meqë mijëra dosje kanë rënë në dorën e veteranëve të UÇK-së.

Për një periudhë, zëvendësprokurori Ip e ka mbajtur pozitën e Prokurorit të Specializuar, pas largimit të David Schwendiman. Në cilësinë e Prokurorit të Specializuar, Kwai Hong Ip, ka intervistuar pjesëtarë të UÇK’së që janë thirrur në Hagë si të dyshuar.

Ip është avokat britanik me përvojë të gjerë si prokuror ndërkombëtar edhe në Ballkan Perëndimor. Ai ka qenë zëvendësi i Schwendiman edhe si Prokurori i Specializuar dhe si Kryeprokurori i Task Forcës Hetimore Speciale (TFHS), paraprijësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar. /Insajderi.com