Zyrtar i AUV-it dyshohet se lajmëronte bizneset që punonin jashtë orarit për operacionet e policisë

Zyrtar i AUV-it dyshohet se lajmëronte bizneset që punonin jashtë orarit për operacionet e policisë

Një zyrtar i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë në Prizren dyshohet se ka lajmëruar disa biznese që punonin jashtë orarit të lejuar për operacionet e Policisë së Kosovës, njofton Insajderi.com.

Përmes një komunikate, Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se ndaj zyrtarit është inicuar rast me dyshimin se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i informatës zyrtare”.

“Lidhur me këtë rast është njoftuar Policia e Kosovës dhe ndaj këtij zyrtari të AUV-it nga ana e hetimeve rajonale të Drejtorisë Rajonale të Prizrenit është iniciuar rast penal me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i informatës zyrtare”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Ndryshe, gjatë ditëve të kaluara disa lokale të gastronomisë në Prishtinë janë gjobitur deri në dy mijë euro dhe janë mbyllur përkohësisht deri më 13 shtator për shkak të mos respektimit të masave anti-COVID-19.

Ndërkaq, gastronomët kanë paralajmëruar protesta pasi sipas tyre, janë buzë falimentimit, për shkak të masave të reja kundër përhapjes së Coronavirusit./Insajderi.com