fbpx

Zyrtare: Agim Bahtiri, kandidat i Vetëvendosje për kryeministër

Është tejet e çuditshme se si kapitalisti i dyshuar për afera korruptive, Agim Bahtiri, është politikani që e takon më së shpeshti idealisti Kurti.

Zyrtare: Agim Bahtiri, kandidat i Vetëvendosje për kryeministër

Nuk është larg mendsh që titulli i këtij shkrimi të jetë titull i kumtesës së Lëvizjes Vetëvendosje, në prag të zgjedhjeve të ardhshme.

Dikujt i duket qesharake kjo. Por, jo edhe Albin Kurtit.

Çuditërisht ka respekt të jashtëzakonshëm për Bahtirin. Janë bërë miq të ngushtë.

Zhvillojnë takime të ndryshme. Takohen joformalisht e zyrtarisht. Kapitalisti i dyshuar për afera korruptive, Agim Bahtiri, është politikani që e takon më së shpeshti idealisti Kurti.

Ai është nderuar nga Kurti edhe para disa ditësh.

Është ftuar në tubimin e Vetëvendosje në Mitrovicë, i cili është mbajtur në kuadër të “revolucionit” të Kurtit kundër PANhajnisë.

Dukej ironik i tërë ai aktivitet. Flitej zëshëm kundër korrupsionit. Kurti këtë e bënte derisa e kishte në krahun e djathtë Agim Bahtirin, i cili është përgjegjës për korrupsionin e mungesën e mirëqenies në Mitrovicë. Po ashtu, është përgjegjës indirekt për korrupsionin e mungesën e mirëqenies në nivel nacional.

“Në Mitrovicën plot entuziazëm e vullnet qindra qytetarë na u bashkëngjitën në takimin e radhës, në iniciativën tonë të përbashkët, për ta larguar korrupsionin nga pushteti e për të sjellur zhvillim dhe mirëqenie për qytetarët. Mitrovica ka nevojë për ndryshim e bashkim, dhe ato do të vijnë me zgjedhjet e reja e me qeverisjen e Lëvizjes”, shkruhej në kumtesën e VV-së pas mbajtjes së këtij tubimi.

Këto fjali ishin epike.

Por, jo aq sa fotoja legjendare nga ky tubim. Në këtë foto shihet Agim Bahtiri. Mbrapa shpinës së tij është mbishkrimi “Kundër PANhajnisë-Zgjedhje të reja”.

Duket tejet mashtruese si pamje. Kush e beson se Bahtiri është përnjëmend kundër PAN-it. Ai ishte një prej kumbarëve të këtij koalicioni.

Ishte i pranishëm në rezidencën e Behgjet Pacollit kur u nënshkruar marrëveshja për bërjen  e Qeverisë mes PAN-it dhe AKR-së.

Bënte gjeste prej adoleshenti aty.

Edhe pse para disa muajve kishte pohuar se “do të hy në tabut para se të hy me PDK-në në koalicion”, Bahtiri uronte me zemër Kadri Veselin pas nënshkrimit të koalicionit.

Nuk e pati lënë me kaq.

Pati vazhduar në drejtim të Ramush Haradinajt.

Në një moment, pasi ia uron Kadri Veselit, arritjen e marrëveshjes, Bahtiri ka një dëshirë dhe ia shprehë Haradinajt, raporton Insajderi.

“Po du me të kap përqafe”, i pati thënë.

Gjesti fëmijëror i tij e kishte nervozuar Haradinajn.

“Mos bëjë ashtu”, i kishte thënë Haradinaj.

Pas këtij urdhri, Bahtirit i kishte ndryshuar çehrja. Ishte bërë nervoz që nuk kishte mundur ta përqafonte Haradinajn, në këtë ditë të gëzimit të madh.

Këto gjeste ishin të zakonshme për nivelin e Bahtirit. Ai ka imazhin e një politikani joserioz. Një politikani që tallet me publikun dhe nuk merr seriozisht asgjë. Imazhin e një politikani që i gënjen qytetarët e Mitrovicës se është në kontakt me këngëtaren Shakira dhe se e njëjta do të këndojë për ta. I ka gënjyer me muaj të tërë se ajo do të këndojë pa pagesë për mitrovicasit, në ditën e hapjes së urës së Ibrit.

Këto janë arsye të bollshme që një kryeopozitar, siç pretendon të jetë Kurti, të ndërpresë miqësinë me politikanin joserioz Bahtirin.

Miqësia e tyre është enigmatike. Unë jam kureshtar ta di fundin e kësaj miqësie. Janë dy versione të së vërtetës së mundshme.

E para: Agim Bahtirit po tallet paksa me Kurtin në kohë të lirë dhe në fund do ta tradhtojë.

E dyta: Kurti është bindur që kosovarët nuk meritojnë më shumë se sa talljen dhe ka vendosur të tallet me votuesit e me Bahtirin, për interes të marrjes së pushtetit.