Vetëvendosje, dega Qendra në Prishtinë, ka vendosur që kandidatë për deputetë të jenë tetë zyrtarë, në krye me liderin e partisë, Albin Kurti, njofton Insajderi.
Lajmin e ka bërë të ditur aktivisti i kësaj partie Atdhe Arifi, i cili ka thënë se dega e Prishtinës, pos Kurtit, ka propozuar për kandidatë edhe Liburn Aliun, Arben Vitinë, Xhelal Sveçlën, Glauk Konjufcën, Fitore Pacollin, Albulena Haxhiun dhe Hatixhe Hoxhën.
“Na priftë e mbara, me Albinin përpara!”, ka shkruar Arifi.
Partitë kanë të drejtë deri të shtunën të përpilojnë listat me kandidatë. Më pas, i merr Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për certifikim.
Për Kurtin e Pacollin, më herët është raportuar se mund të kenë telashe me certifikim si kandidatë për deputetë, bazuar në aktgjykimin e fundit të Kushtetueses që ndalon kandidimin e atyre që janë dënuar në tri vitet e fundit. Kurti e Pacolli janë të dënuar me kusht./Insajderi.com