Zyrtare: Më 1 shtator fillon procesi mësimor në shkolla

Zyrtare: Më 1 shtator fillon procesi mësimor në shkolla

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka njoftuar se pas takimit që kanë pasur me drejtorët komunalë si dhe ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, viti i ri shkollor do të fillojë më 1 shtator, njofton Insajderi.com.

Sipas njoftimit, janë bërë të gjitha përgatitjet dhe se mësimi do të zhvillohet me prezencë fizike në shkolla dhe me orar të plotë.

“Për të diskutuar për përgatitjet që janë bërë për fillimin e vitit të ri shkollor 2021/2022, sot është mbajtur takimi i Kolegjiumit për Arsim të Asociacionit të Komunave të Kosovës me Drejtorët Komunal të Arsimit, e ku ka marrë pjesë ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci”.

“Në këtë takim, u konkludua se janë bërë të gjitha përgatitjet nga ana e Komunave të Kosovës dhe Ministrisë në mënyrë që viti i ri shkollor të fillojë më 1 shtator me prezencë fizike në shkollë dhe me orar të plotë. Ministrja Nagavci theksoi se rekomandimet e MSh dhe IKShPK, por edhe praktikat botërore, tregojnë se mësimi këtë vit shkollor po fillon me prezencë fizike në shkollë. Ajo i informoi Drejtorët Komunalë të Arsimit për përgatitjet që janë bërë nga ana e Ministrisë për fillimin e vitit shkollor”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Po ashtu, gjatë takimit, Drejtorët Komunalë të Arsimit kanë bërë të ditur se sipas statistikave, mesatarja e personelit arsimor me njërën dhe dy dozat e vaksinës anti-COVID është rreth 70 për qind deri më tani. /Insajderi.com