Zyrtarët komunalë e qytetarët i gëzon kthimi i derrave të egër në Parkun e Gërmisë

Zyrtarët komunalë e qytetarët i gëzon kthimi i derrave të egër në Parkun e Gërmisë

Derrat e egër janë kthyer në Parkun Gërmia, pas më shumë se një viti, pasi ata kishte rrezik të zhdukeshin si pasojë e gjuetisë së paligjshme.

Rikthimi i tyre është bërë publik me anë të një videoje të publikuar nga faqja “Gërmia Park Wild në Facebook”. Megjithatë, publikimi i kësaj videoje, sipas drejtoreshës së Parqeve në Komunën e Prishtinës, Fatime Hajdari, paraqet rrezik për jetën e kafshëve pasi që gjuetarët mund të dalin për gjah dhe t’i sulmojnë.

Sipas saj, fotografi Albert Krasniqi nga “Gërmia Park Wild” nuk ka marrë leje për një postim të tillë.

Hajdari thotë se kafshët e egra nuk paraqesin rrezik për qytetarët nëse ato nuk ngacmohen.

Ajo bën të ditur se përveç derrave të egër, edhe disa kafshë të tjera janë kthyer në Parkun e Gërmisë.

Rikthimi i kafshëve të egra, sipas Hajdarit, është një begati për florën dhe faunën dhe se qytetarët duhet të jenë të kënaqur për këtë gjë.

Sipas Qenan Maxhunit nga MMPH-ja, mungesa e kapaciteteve humane e bën të pamundshëm mbulimin e të gjitha zonave të mbrojtura, duke përfshirë edhe Parkun e Gërmisë.

Ai thotë se secili person që dëshiron të bëjë monitorimin e kafshëve të egra, duhet ta marrë leje nga Komuna e Prishtinës.

Ndërkaq, disa prej qytetarëve thonë se kanë hasur në derra të egër, kurse, disa prej tyre thonë që nuk kanë hasur asnjëherë, edhe pse kalojnë kohë çdo mëngjes në Parkun e Gërmisë. Rikthimi i këtyre kafshëve në Parkun e Gërmisë nuk po cilësohet i rrezikshëm për qytetarët. Ata thonë se rikthimi i kafshëve të egra në Parkun e Gërmisë është një gjë shumë e mirë.

Albert Krasniqi, fotograf i “Gërmia Park Wild” është kontaktuar nga Kohavisioni, por ai nuk ka pranuar që të deklarohet për këtë çështje.