Zyrtarëve komunalë që u arrestuan në Ferizaj iu gjetën mbi 17 mijë euro

Zyrtarëve komunalë që u arrestuan në Ferizaj iu gjetën mbi 17 mijë euro

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë kontrollit në zyrën e punës dhe në dymbëdhjetë lokacione tjera, 12 zyrtarëve komunalë të cilët janë arrestuar të enjten në Ferizaj, u janë gjetur dhe sekuestruar si prova materiale 17 mijë e 700 euro, përcjell Insajderi.

Përveç parave, të njëjtëve u janë sekuestruar armë dhe materiale të tjera.

Rasti në polici është hapur si “Keqpërdorim i pozitës marrje-dhënie ryshfeti”.

“Ferizaj (NN) 15.04.2021 – 06:45. Si rezultat i hetimeve shtesë janë arrestuar 12 (dymbëdhjetë) të dyshuar meshkuj kosovarë (zyrtar të Drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë), nën dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprat penale.

Gjatë kontrollit në zyrën e tyre dhe në dymbëdhjetë lokacione tjera, u janë gjetur dhe sekuestruar si prova materiale: shtatëmbëdhjetë  mijë e shtatëqind (17.700.00)€, gjashtë pushkë gjuetie, dy pistoleta, tetë karikatorë, pesëdhjetë e katër fishekë të kalibrave të ndryshëm, shtatëmbëdhjetë telefona mobil, një çekan për damkosje dhe disa materiale tjera (fletore gjepi, fletë-paraqitje, bllok evidence, raporte, formular të ndryshëm)”, thuhet në raportin e policisë.

Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje./Insajderi.com