Zyrtari i LDK-së: Duhet t’i luftojmë ‘komandantët’ keqbërës të UÇK-së

Zyrtari i LDK-së: Duhet t’i luftojmë ‘komandantët’ keqbërës të UÇK-së

Ish-këshilltari i Isa Mustafës, Bajram Gecaj, është përfshirë në debatin e fundit për luftën e UÇK-së, shkruan Insajderi.

Gecaj përmes Facebook ka thënë se të gjithë ata që duan ta mbrojnë emrin, trashëgiminë dhe vlerat e UÇK-së, duhet së pari të flasin e të veprojnë hapur kundër keqbërësve, matrapazëve, sekserëve dhe kriminelëve që vijnë nga radhët e UÇK-së.

“Janë këta individë të cilët për vite me radhë përdhosën mundin, djersën dhe gjakun e vajzave dhe djemve më të mirë popullit tonë. Fakti që disa nga ta ishin “komandantë” në UÇK nuk i amniston nga kritika e ashpër publike, pezmi qytetar, por as edhe nga ndjekja penale! Duhet të shohësh vetëm pasurinë e disa “komandantëve” dhe të kuptosh se ata nuk janë të pastër as para bashkëluftëtarëve, as para popullit, as para ligjit, por as edhe para zotit”, ka shkruar Gecaj.

Zyrtari i LDK-së ka thënë se duhet marrë guximin që t’u dalim para dhe t’i luftojmë këta keqbërës nga radhët tona.

“Solidariteti dhe lojaliteti i verbër ndaj luftës, ndaj bashkëluftëtarëve dhe ndaj UÇK-së nuk guxon në asnjë mënyrë dhe në asnjë rast të mjegulloi e ta zëvendësoi lojalitetin e përkushtimin ndaj të ardhmes së vendit dhe fëmijëve tanë”, ka shtuar ai në profilin e tij në Facebook./Insajderi/