Zyrtari i NATO-s: Raportet Kosovë-Serbi, ndër sfidat më thelbësore për rajonin

Zëvendës ndihmësi i sekretarit të përgjithshëm të NATO-s për çështje politike dhe të sigurisë, James Appathurai, thotë se raporti midis Kosovës dhe Serbisë, mbase paraqet sfidën më thelbësore në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Zyrtari i NATO-s: Raportet Kosovë-Serbi, ndër sfidat më thelbësore për rajonin

Ai konfirmon se NATO-ja do të bëjë çmos për të ndihmuar në zgjidhjen e kësaj çështjeje, përderisa thekson angazhimin e saj për të siguruar një mjedis të sigurt në Kosovë.

Lidhur me masat e paralajmëruara nga sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për bashkëpunimin e ardhshëm me Forcën e Sigurisë së Kosovës, pasi institucionet e Kosovës miratuan ligjet për transformimin e saj në ushtri, Appathurai thotë se kjo çështje ende po diskutohet brenda NATO-s, mirëpo shpreh sigurinë se pasoja do të ketë.

Zyrtari i lartë i NATO-s flet edhe për procesin e anëtarësimit të vendeve të rajonit në NATO përderisa për Serbinë thotë se paanshmëria politike ose mos përfshirja e saj ushtarake nuk e pengon Aleancën që të ketë marrëdhënie të mira me këtë vend.

Radio Evropa e Lirë: Z.Appathurai, shumë shpejt bëhet një vit që kur NATO-ja i ka ftuar autoritetet e Bosnje e Hercegovinës të paraqesin Programin Vjetor Kombëtar (ANP). Asgjë nuk ka lëvizur në këtë drejtim. A ekziston ndonjë mekanizëm përmes të cilit mund të obligonit autoritetet në Sarajevë që ta bëjnë këtë?

James Appathurai: Natyrisht se nuk ka. Ne u kemi ofruar atyre një ftesë, që të themi se jemi të hapur për të pranuar Programin Vjetor Kombëtar dhe jemi ende të hapur për këtë. Nga këndvështrimi ynë, ne duam që të dorëzojnë planin sepse kjo na jep mundësinë më shumë për të përkrahur reformat në Bosnje dhe Hercegovinë. Mendoj se të gjithë, në gjitha segmentet e qeverisë, por edhe qytetarët duan që reformat të zbatohen dhe kjo na mundëson që t’i ndihmojmë ata. Natyrisht se aty ka jehonë politike, por në të vërtetë është një mjet praktik për ne. Pra, ne jemi shumë të hapur që autoritetet e atjeshme të na dërgojnë planin, por sigurisht ne nuk i detyrojmë ata, ne nuk imponojmë asgjë. Kjo varet nga institucionet dhe qytetarët e vendit.

REL: Kur bëhet fjalë për qeverinë, çështja e NATO-s është një pengesë për formimin e qeverisë. Si e shihni rolin e NATO-s në të ardhmen politike të vendit?

Appathurai: Është e rëndësishme të sqarohet se NATO-ja kurrë nuk e ka vendosur si kusht që formimi i qeverisë është në njëfarë forme i ndërlidhur me ANP-në. Ne nuk kemi nevojë që qeveria ta bëjë këtë një çështje që përcakton nëse arrijnë ose jo ta formojnë atë. Sa na përket neve, sigurisht se ajo na duhet nga qeveria dhe jo nga një pjesë e saj. Kjo është shumë e rëndësishme. Por, ky është diskutim i brendshëm në Bosnje për formimin e qeverisë. Ne nuk i kemi ndërlidhur këto dy çështje.