Faton Abdullahu nga Partia Demokratike e Kosovës ka propozuar që flamuri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të vendoset në Presidencë, njofton Insajderi.
Sipas tij, ai flamur duhet të vendoset sidomos tani, pasi siç ka thënë, tash e sa kohë ka qasje të intensifikuar kundër vlerave të luftës dhe UÇK-së.
Në një postim në Facebook, Abdullahu ka shkruar se kjo qasje tani ka marrë karakter institucional.
“Nëse bën që në Presidencë të jetë Flamuri Dardan, pse nuk bën të jetë edhe Flamuri i UÇK-së. Por, aty nuk është dhe as nuk ka qenë. Ky realitet duhet të ndryshoj. Duhet të ndryshoj sidomos tani. Pse ?
Ka pasur një qasje të intensifikuar tash sa kohë, gjithsesi tinza, kundër vlerave të luftës e për rrjedhojë edhe qasje anashkaluese ndaj vetë vlerës, UÇK. Kjo qasje nga, dikur anashkaluese, tani pothuajse ka marrë karakter institucional. Kjo duhet të ndalet para se UÇK-ja të bëhet histori me dyshime, deri në histori që i duhen korrigjime”, ka shkruar ai.
Zyrtari i PDK-së tutje i ka bërë thirrje presidentes së vendit, Vjosa Osmanit, që të bëhet gjithëpërfshirëse dhe unifikuese./Insajderi.com