Zyrtari i PDK-së i kërkon Kurtit ta shkarkojë ministrin Aliu

Zyrtari i PDK-së i kërkon Kurtit ta shkarkojë ministrin Aliu

Zyrtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi i ka kërkuar kryeministrit, Albin Kurti që ta shkarkojë nga detyra e ministrit Liburn Aliun, pasi këtij të fundit gjatë së martës iu publikua një aktakuzë për korrupsion, njofton Insajderi.

Sipas Gjoshit, Kurti duhet të marrë një vendim të tillë “për të treguar shembullin se nuk është një demagog më shumë në qytetin tonë”.

Në një postim në Facebook, ai tutje i është drejtuar Liburn Aliut me fjalët: “Z. Aliu, mos e bëj aktorin sikur nuk din asgjë për aktakuzën, por politikanin e përgjegjshëm”.

“Tani që e konfirmove lajmin dorëhiqu dhe lejoje drejtësinë ta bëjë punën pa asnjë pengesë. Ndiqe shembullin e kolegëve të përgjegjshëm nga politika që ofronin dorëheqjen nga detyra kur akuzoheshin zyrtarisht. Bëhu ministri i parë që jep dorëheqjen në ditën e parë të punës”, ka shkruar ndër të tjera Gjoshi.

Në Qeverinë Kurti 2, Liburn Aliu është zgjedhur ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Ndaj tij, në vitin 2018 ishte ngritur një aktakuzë për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, në kohën sa i njëjti ishte drejtor i Urbanizimit në Prishtinë. Aliu gjatë së martës ka deklaruar se nuk ka pranuar asnjë informacion zyrtar për një aktakuzë të tillë. Por, pak minuta më vonë, këto pretendime të tij i ka hedhur poshtë Prokuroria Themelore në Prishtinë. /Insajderi.com