Zyrtari i VV-së: Konjufca s’e ka të domosdoshme pozitën e kryeparlamentarit

Zyrtari i VV-së: Konjufca s’e ka të domosdoshme pozitën e kryeparlamentarit

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Zogiani, ka thënë se tash e 20 vjet, institucionet janë parë si persona e jo si ligje, norma e procedura, siç do duhej të shiheshin.

Ai teksa ka komentuar kërkesën për dorëheqjen e Glauk Konjufcës nga posti i kryetarit të Kuvendit, ka thënë se ai nuk e ka të domosdoshme këtë pozitë, porse ai dhe VV-ja po i respektojnë institucionet, rregullat dhe normat.

“Për këto 20 vjet jemi mesu që institucionet me i pa si persona e jo si ligje, norma dhe procedura. Shpesh dëgjoj se “po sakrifikohet Kosova për Glaukun”. Unë e di që Glauku vetë nuk e ka të domosdoshme pozitën e Kryeparlamentarit, madje për aq sa e njoh, ai as që ka menduar ndonjëherë për ndonjë pozitë. Glauku është me i madh sesa kaq. Problemi i Glaukut dhe i Vetëvendosje! është respektimi i institucionit, i rregullave dhe normave”, ka thënë Zogiani.

Sipas tij, tashmë pozita e numrit dy të shtetit, nuk do t’i shërbejë Glaukut apo Vetëvendosjes, pasi ky post nuk do të përdoret për qëllime politike.

“Është tashme e ditur se posti i Kryeparlamentarit nuk do t’i shërbejë Glaukut ose Vetëvendosjes, sepse është e sigurtë që ky post nuk do të përdoret për qëllime partiake, propaganduese e për luftë ndaj kundërshtarëve politik. Kjo është e sigurtë sepse Glauku ka aq etike sa t’mos e përdori postin ndryshe veçse ashtu siç i ka hije këtij posti, kurse Albini e ka thënë qysh në fushatë se Vetëvendosje në pushtet nuk do të sillet me arrogancë ndaj opozitës, qe i bie se nuk do te përdorë institucionet në mënyrë të ulet siç kanë bërë të tjerët”, ka deklaruar Zogiani, përmes një statusi në profilin e tij në rrjetin social Facebook.

Me tutje anëtari i VV-së, ka theksuar se Vetëvendosje nuk po heq dorë nga posti i kryetarit, jo për ta mbajtur këtë post, por për respektimin e institucionit.

“Pra, problemi nuk qëndron të dëshira për post, por të respektimi i institucionit, të cilën gjë po e shof se Vetëvendosje ka shumë punë për ta krijuar sidomos në mesin e atyre që krijojnë opinion”, tha ai. /Insajderi.com