Drejtori i Agjencionit për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, Idriz Blakaj, ka thënë në një prononcim për Klan Kosovën, se nuk sheh asgjë të keqe nëse kërkohet ndërtimi i një shtatore për diktatorin Enver Hoxha në Kosovë, por për me tepër ka kërkuar madje edhe kthimin e këtij regjimi në Kosovë, raporton Insajderi.
Duke folur për Enver Hoxhën si kryetar të Shqipërisë, Blakaj, i cili drejton institucionin që funksionon nën ombrellën e Kuvendit të Kosovës e që paguhet me paratë e taksapaguesve kosovarë, ka thënë se do të ishte mirë ta kthente regjimin e Hoxhës për një vit në Kosovë.
“Kishte me qenë mirë që bile regjimi i Enver Hoxhës të kthehej nja 1 vit për me i hjek hajnitë e këto gjana të këqija të këtij vendi”, ka thënë Blakaj, duke shtuar se vet ai ka qenë një adhurues i politikës së Enver Hoxhës.
Blakaj ka qenë edhe kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës, në zgjedhjet parlamentare, raporton Insajderi.
Sipas tij, nuk është tragjike që kërkohet ndërtimi i shtatores për Enver Hoxhën në Kosovë, pasi ai nuk është një qytetar i thjeshtë por ka qenë kryetar i Shqipërisë në një kohë kur kosovarët kanë mundur të zgjedhin ose Titon ose Enverin.
Iniciativën për ndërtimin e një shtatoreje të Enver Hoxhës në Kosovë e ka dhënë dje edhe Erald Salca, sipas të cilit shtatorja e Enver Hoxhës do të ndërtohet në një lokacion mes Ferizajt dhe Prishtinës, ndërsa zbulimi i saj do të bëhet me 18 tetor në ditëlindjen e dikatorit. Salca kishte thënë se për këtë ka marrë mbështetjen edhe të kryetarit të Ferizajt, Muharrem Sfarqa.