
Nuk ka pasur asnjëherë një shafitje të debatit për projektin e Xhamisë së Madhe në Prishtinë, pasi të gjithë ekspertët thonë se projekti i zgjedhur është një kopjim që na kthen shekuj mbrapa. Mirëpo, projekti që kishte tërhequr shumë nga qytetarët dhe ekspertët mund edhe të kthehet përsëri në lojë.
Media “Ndërtimi” ka shfrytëzuar rastin e një qëndrimi 2-ditor të një prej udhëheqësve të sektoreve brenda ZAHA HADID Architects, Nils Fischer, që të realizojë një intervistë, ku padyshim preket projekti i xhamisë së madhe.
Për më shumë, Fischer ka qenë njeriu që ka udhëhequr këtë projekt, duke pasur edhe një përvojë me Kosovën dhe kosovarët. Shihej në fytyrën e tij teksa fliste, se i pëlqente Kosova. Për më shumë atë e kishte tërhequr kultura dhe diversiteti fetar.
“…kur nisim një projekt bëjmë shumë hulumtime në sfond dhe ishte shumë interesante të mësosh rreth kulturës dhe gjithashtu diversitetin fetar, kështu që ishte shumë emocionuese”, tha ai.
Duke u koncentruar në këtë pikë debati, se nëse janë të gatshëm kompania ZAHA HADID Architects të rikthehen në lojë me projektin e tyre për xhaminë e madhe, përgjigjja ka qenë afirmative.
“Nëse komuniteti e dëshiron një gjë të tillë, atëherë PO do ta rikthenim. Ajo që më pëlqen në lidhje me zyrën tonë është se ne kemi projektuar shumë ndërtesa publike, shumë nga punët tona janë ndërtesa publike dhe mendoj se ne kënaqemi kur njerëzit i pëlqejnë, kështu që nëse ka një dëshirë të komunitetit, atëherë neve do të pëlqente që ta rikthenim”, ka thënë Fischer për Ndërtimi.info.