9.800 maska shumë përdorimesh e rreth 6.700 palë dorëza dhe dezinfektues janë dhuruar donacion nga Ambasada Amerikane në Prishtinë.
Këtë donacion e ka pranuar ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu dhe Drejtori i Byrosë Ndërkombëtare për Narkotik dhe Çështje të Sigurisë, Shawn Waddoups.
Ministri, Agim Veliu tha se donacioni i pranuar do t’i ndihmojë MPB-së dhe agjencive ndërlidhëse me ministrinë për kryerjen sa më të mirë, më efikase dhe më të lehtë të detyrave dhe obligimeve të përditshme në funksion të një sigurie dhe mirëqenie më të mirë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.
Ndërsa, drejtori i Byrosë Ndërkombëtare për Narkotik dhe Çështje të Sigurisë (INL), Shawn Waddoups theksoi se SHBA mbeten të përkushtuara ndaj mbështetjes së Kosovës, duke u përgjigjur ndaj kërkesave për menaxhimin e COVID-19 dhe duke ofruar e asistencë për MPB-në dhe agjencitë e saj. /Insajderi.com